Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

SHORTI

Ballkani mëson kundërshtarët në Conference League

Ballkani mëson kundërshtarët në Conference League


26 August, 2022 @14:59

Ballkani ka mësuar kundërshtarët në fazën grupore të Conference League.

Kampioni i Superligës së Kosovës, do të jetë në Grupin G me Slavia Pragën, Cluj dhe Sivassporin.

T’i njohim nga afër kundërshtarët e Ballkanit, duke nisur sipas rëndësisë së tyre të përcaktuara nga vazot e UEFA-së, prej të parit deri te i treti.

Të gjitha ndeshjet e fazës grupore do të fillojnë nga data 8 shtator dhe do të përfundojnë më 3 nëntor 2022.

SLAVIA PRAG (ÇEKI) - aktualisht nënkampione e Çekisë, por para sezonit 2021/22 ka fituar tri herë radhazi titullin kampion të Çekisë, duke fituar katër tituj kampioni në gjashtë stinorët e fundit, ku prej dy stinorëve pa tituj, u bë nënkampione. Slavia fitoi titullin në këto vitet e fundit më 2016/17, 2018/19, 2019/20, 2020/21, ndërsa nënkampion ishte më 2017/18 dhe 2021/22 - që tregon se dominon plotësisht kampionatin cek në gjashtë vitet e fundit. Pra, një kundërshtar shumë i fortë, duke ditur cilësinë e këtij kampionati në krahasim me tonin.

Slavia Prag

Sa i përket lojtarëve, nigeriani i ri Moses Usor është aktualisht golashënuesi më i mirë i skuadrës bashkë me cekun Stanislav Tecl, që kanë shënuar nga tre gola. Aty luan edhe ish-futbollisti i Skënderbeut, Peter Olayinka, ndërsa reprezentuesi Luka Masopust është gjithashtu në mesfushë për përvojë dhe drejtohet nga trajneri Jindrich Trpisovsky.

CFR CLUJ (RUMANI) - Të kthyer furishëm në elitën e futbollit rumun, kampionë të padiskutueshëm në pesë stinorët e fundit, CFR Cluj Napoca nuk ka lënë vend për befasi duke fituar radhazi titullin e kampionit prej 201/18 deri më 2021/22.

CFR Cluj

Të drejtuar nga ish-reprezentuesi rumun, që ka qenë pjesë e Rumanisë legjendare të viteve të ‘90-ta, Dan Petrescu, Cluj ka ekip të miksuar me të huaj, ndërsa në fillim të këtij stinori janë dalluar sulmuesi kroat Gabriel Debeljuh dhe mesfushori rumun me përvojë, Ciprian Deac - të dy nga dy gola të shënuara.

SIVASSPOR (TURQI) - Një ekip mesatar i Superligës turke, që arritjen më të mirë në kampionatin kombëtar e ka pasur në stinorin 2008/09 duke u bërë nënkampion! Stinorin e fundit e përfunduan në pozitë të dhjetë të renditjes tabelare, por në anën tjetër ata garat evropiane i kapën duke fituar hic më pak se Kupa e Turqisë, pasi që ekipet e mëdha të Stambollit kishin dështuar më herët në rrugëtim për finale.

Sivasspor

Aktualisht drejtohen nga trajneri i respektuar në Turqi, ish-lojtari i Besiktasit dikur, Riza Calimbay, ndërsa në ekip kanë sulmuesin me përvojë Mustapaha Yatabare dhe ish-lojtarin e Lyonit dhe Marseille-it, Clinton N’Jie. Aktualisht golashënues më të mirë në stinorin e ri e kanë mesfushorin nga Bregu i Fildishtë, Mark Gradel, që ka shënuar dy herë, ndërsa këtë stinor ende nuk kanë shijuar fitore në kampionat pas tri xhirove të para të zhvilluara.


 
Të gjitha lajmet nga