Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

LIDERI TREGON FORCËN

Ballkani shkëlqen në pjesë të dytë, thellon krizën e Lirisë

Ballkani shkëlqen në pjesë të dytë, thellon krizën e Lirisë


20 October, 2023 @15:43

Ballkani ka shënuar fitoren e shtatë të stinorit sot, në ndeshjen hapëse të xhiros së dhjetë të Superligës, duke u rikthyer furishëm në pjesë të dytë për të tronditur Lirinë, që është në krizë të rezultateve dhe për të fituar duelin bindshëm, 4-1 [Albin Berisha 46’, Lumbardh Dellova 50’, Almir Kryeziu 55’, 79’ - Melos Zenunaj 14’].

Lideri i Superligës dhe kampioni aktual ka treguar forcën, veçanërisht me dy zëvendësimet e bëra nga Ilir Daja në fillim të pjesës së dytë, kur futi në lojë Edvin Kucin dhe Vesel Limajn, për të shuar të gjitha shpresat që kishte Liria pas pjesës së parë, ku kishte marrë epërsinë me një gol të bukur të Melos Zenunajt.

Me të nisur pjesa e dytë, brenda 10 minutave Ballkani tregoi fuqinë dhe duke shënuar tre herë - shoi shpresat e prizrenasve menjëherë. Në vazhdim, Ballkani dominoi plotësisht, si me raste si me posedim topi, ndërsa shtylla dy herë shpëtoi portën e Arlis Shalës në ndeshje, ngase rezutlati do të mund të ishte edhe më i thellë.

TABELA AKTUALE

Në fund, derisa Ballkani fitoi dhe shtoi epërsinë në krye të renditjes ndaj kundërshtarve, Liria do të duhet të punojë edhe shumë më shumë për të siguruar së paku mbijetesën në elitë, ku u kthye pas katër stinorësh militimi në Ligë të Parë.

Derisa Liria do të ketë punë të vështirë edhe në xhiron e radhës, ku është mysafire e Dritës, Ballkani do të udhëtojë te Feronikeli’74. Përndryshe, aktualisht Ballkani lider prej 9 ndeshjeve të luajtura në 10 xhirot e para ka 23 pikë, ndërsa Liria nga 10 ndeshje të luajtura në po aq xhiro ka 6 dhe është e nënta (e parafundit) në renditje.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga