DEKLARATA E TRAJNERIT TË LIRISË
Trajneri i Lirisë: “Nuk do të dorëzohemi”
21 October, 2023 @11:38
Pas humbjes nga Ballkani dje, trajneri i Lirisë Nedim Yigit ka thënë se ai dhe ekipi i tij bashkë me kryesinë e klubit nuk do të dorëzohen dhe do të luftojnë deri në fund për rezultate sa më të mira në Superligë.
Në deklaratën e tij dhënë pas ndeshjes, Yigit ka thënë se ka mungesa lojtarësh në ekip, ndërsa ai dhe lojtarët e tij do të marrin mësim nga gjërat e mira nga loja ndaj Ballkanit dhe të harrojnë e përmirësojnë gjërat jo të mira nga loja e tyre.
“Po mundohemi të përmirësohemi nga aspekti taktik dhe të shfrytëzojmë jo vetëm 45, por më shumë minuta në lojë. Sa i përket lojtarëve nuk kemi mundësi të bëjmë më shumë ndryshime në formacion, Ballkani është më i fortë, i uroj fitoren e tyre dhe gjithashtu i uroj suksese në gara evropiane,” ka thënë fillimisht Yigit për të vazhduar, “Nga sot do të marrim disciplinën e lojës me vete si gjë të mirë, ndërsa gabimet e pjesës së dytë, të tjerat, do të duhet t’i lëmë . Unë nuk jam njeri që dorëzohet, as lojtarët e mi e as kryesia. Do të bëjmë gjithçka,” ka thënë ndër të tjera timonieri turk i Lirisë.
Liria është në krizë rezultatesh, ndërsa dje përkundër 45 minutave të mira ndaj Ballkanit, në pjesë të dytë ranë nga loja për tu mposhtur 4-1 dhe për të regjistruar humbjen e pestë me radhë në Superligë.