MALISHEVA 2-3 BALLKANI
Ballkani vazhdon me fitore, ngritet në renditje
28 September, 2022 @15:07
Përballja e mbetur e xhiros së parë të Superligës ndërmjet Malishevës dhe Ballkanit, që u zhvillua sot, i takoi suharekasve kampionë aktual.
Malisheva vendase e drejtuar nga Sami Sermaxhaj u mposht nga ekipi i Ballkanit, 2-3 [Agon Xhaka 4, Behar Maliqii 90+3 — Ermal Krasniqi 44, 57, Meriton Korenica 74], derisa vendasit përjetuan humbjen e pestë sezonale, Ballkani u ngrit në pozitën e dytë të renditjes.
Epërsia e hershme e vendasve me Agon Xhakën, pas gabimit të Stivi Frashërit u neutralizua pak para fundit të pjesës së parë kur Armend Thaqi asistoi për Ermal Krasniqin që shënoi golin e parë sezonal.
I njëjtë shënoi edhe të dytin, pas asistimit të Albion Rrhamanit, ndërsa fitoren e suharekasve e vulosi Meriton Korenica 16 minuta para fundit të ndeshjes.
Deri në fund, Malisheva uli epërsinë e Ballkanit me gol të Behar Maliqit për përfundimtaren 2-3.
Derisa Ballkani ka edhe dy ndeshje të mbetuar të pazhvilluara, rezultatet e arritura deri tash kanë bërë që ekipi të ngritet në vend të dytë të renditjes tabelare, kurse në xhiron e rregullt të radhës presin Gjilanin. E ndeshja tjetër e mbetur e tyre është ndaj Llapit, që i takon xhiros së shtatë dhe ndaj Trepçës’89.