THE FINALS - GAME 1
Banka e Warriorsit vendos finalen e parë
3 June, 2016 @8:50
Në një natë kur Stephen Curry e Klay Thompson janë basketbollistë të zakonshëm, zgjohet banka rezervë e kampionit të NBA-së dhe shpëton ditën.
Curry+Thompson, 20 pikë
Golden State Warriors ka shënuar fitore në përballjen e parë të finales së madhe ndaj Cleveland Cavaliers 104-89 për të marrë epërsinë 1-0 në seri dhe për t’iu afruar 3 fitore mbrojtjes së titullit.
Curry përfundoi ndeshjen me 11 pikë të shënuara, Thompson me 9, ndërsa Draymond Green me 16 të tjera.
Por, Shaun Livingston shënoi rekordin personal postsezonal duke regjistruar 20 pikë për të qenë njeriu kryesor në fitoren e parë të serisë për kampionin.
“Nuk fitohet kampionati pa krejt skuadrën. Të gjithë duhet së paku njëherë të dalin në shesh për të treguar ndikimin e tyre në lojë. Për këtë, ne jemi këtu,” ka thënë Curry pas ndeshjes për nba.com.
Banka rezervë: Warriors 45-10 Cavs
Banka rezervë e Warriorsit mposhti 45-10 bankën e Cavaliersit, që bëri dallimin kryesor në ndeshje.
Kyrie Irving shënoi 26, ndërsa Lebron James 23 pikë, 12 kërcime e 9 asistime në ndeshje për Cavaliersat, që nuk mjaftuan për fitore.
“Pa marrë parasysh çka bën me Steph e Klay, por edhe me Draymond, kur banka e tyre del e shënon 45 pikë ndaj bankës tonë që arrin të shënojë vetëm 10, fitorja bëhet shumë-shumë e vështirë,” ka thënë James për nba.com pas ndeshjes.
Përballja e radhës zhvillohet në Oracle Arena në natën e vonshme të dielës dhe mëgjesin e hershëm të së hënës.