KUPA E KOSOVËS: GJYSMËFINALET
Barazim në Mitrovicë, avantazh i lehtë për Besën
29 March, 2017 @15:48
Në takimin e parë gjysmëfinal mes Trepçës e Besës, që u luajt në Mitrovicë, fitues nuk pati, duke bërë kështu që gjithçka të jetë e hapur në ndeshjen kthyese në Pejë, mirëpo me Besën që ka një avantazh falë dy golave të shënuara në terrenin kundërshtar.
Të parët në epërsi kaluan pejanët me golin e Qemajl Elshanit që në minutën e 8’ pas një kombinimi shumë të mirë me Fatih Karahodën. Barazimi i vendasve erdhi në minutën e 39’, moment kur Pleurat Hajdini shënoi pas një gabimi të mbrojtjes mysafire dhe pjesa u parë u mbyll 1-1, pjesë kjo që u dominua nga Besa si në raste, ashtu edhe në posedim.
Në pjesën e dytë, përsëri të parët në epërsi kaluan mysafirët nga Peja, mirëpo rotacionet e vendasve me inkuadrimin e Egzon Qerimit në mesfushë dhe Katanollit në vend të Milot Kamberit, dolën të ishin të qëlluara dhe bënë që dominimi në vazhdim të ndeshjes të kalonte te Trepça. Ishte Florent Qorraj ai që shënoi për 1-2 për Besën pas goditjes nga afro 18 metra. Gjithsesi, mitrovicasit nuk u dorëzuan dhe barazimin e gjetën përmes Egzon Qerimit, gol i cili erdh pas dy shtyllave të goditura nga vendasit brenda pak minutave dhe takimi u mbyll me shifrat 2-2.
Ndeshja e kthimit luhet më 19 prill në Pejë.