ARBËRIA - PRISHTINA
Barazim në Obiliq, Arbëria ndalë Prishtinën
22 September, 2020 @18:10
Pas fitores bindëse në ndeshjen e parë ndaj Drenicës, Prishtina sot ka lëshuar pikë në ndeshjen e luajtur ndaj Arbërisë në “Agron Rama” të Obiliqit.
Ndeshja mes Arbërisë dhe Prishtinës në fund u mbyll 1-1 (Dior Zabërgja 10’ / Oto John 35’).
E para në epërsi në këtë përballje kaloi skuadra e Arbërisë, që golin e gjeti përmes Dior Zabërgjes në minutën e 10’. Zabërgja shënoi një gol mjaft të bukur me volej nga jashtë zonës, i pari gol për të këtë sezon.
Megjithatë, kryeqytetasit reaguan pa përfunduar pjesa e parë. Ishte sulmuesi Oto John ai që shënoi për 1-1 në minutën e 35’ pas asistimit nga Mankenda dhe me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë.
Përkundër golit të pësuar, Arbëria nuk u demoralizua. Skuadra nga Dobraja, që këtë sezon drejtohet nga kryetrajneri Arbnor Morina, gjatë pjesës së dytë arriti t’i bëjë ballë mjaft mirë sulmeve të kryeqytetasve, për ta mbyllur ndeshjen me një pikë të fituar. Sa i përket Prishtinës, skuadra më e trofeshme kosovare rastet më të mira në pjesën e dytë i pati përmes sulmuesit Oto John, që nuk arriti dot ta gjejë golin e fitores.
Xhiron që vjen, Arbëria i shkon Besës në Pejë, kurse Prishtina e pret Dritën (ndeshja ndoshta do të shtyhet për shkak të angazhimeve të Dritës në Europa League) në “Fadil Vokrri”.