PAS NDESHJES
Basketball Champions komenton humbjen e Prishtinës
18 September, 2019 @14:36
Dueli i parë i Prishtinës në stinorin 2019/20 në Basketball Champions League përfundoi me humbje.
Kampionët e Kosovës që nisën mirë ndeshjen duke fituar çerekun e parë 23-19 dhe të tretin 32-17, pësuan në çerekun e dytë 14-25 dhe u ndalën në vetëm dhjetë pikë në çerekun e fundit dhe vendimtar të ndeshjes 10-20 për tu mposhtur me rezultat 79-81 nga ekipi polak, Legia.
“Mysafirët polakë mbijetuan betejën e rezultateve me ndërrime të shpeshta të epërsisë, ku vendimtar doli të jetë Drew Brandon për të shënuar gjuajtjet e lira dhe për të marrë fitoren krejt në fund,” ka shkruar faqja zyrtare e kësaj lige sot.
“Michael Finke pati lojë të jashtëzakonshme, duke shënuar 26 pikë me shut 10/13 nga loja, si dhe ekipi nga Varshava dominoi në kërcime, duke rrëmnbyer 40 derisa vendasit kapën 31 topa,” ka vazhduar njoftimin BCL.
Nga përforcimet e Prishtinës këtë stinor, më i miri mbrëmë u tregua Fahro Alihodzic, që kreu ndeshjen me 20 pikë e 12 kërcime, që në fund nuk mjaftuan.
Prishtina që aktualisht po drejtohet nga Bujar Loci dhe Andin Rashica, emri i të cilëve as që figuronte në statistikat e lojës në faqen zyrtare të BCL, do të duhet të fitojnë me minimalisht 3 pikë epërsi në Varshavë, për të kaluar këtë raund.
Kampionët e Kosovës asnjëherë nuk kanë kaluar raundin e parë të kualifikimeve në Ligë të Kampionëve të Basketbollit. Në stinorin e kaluar ata ishin mposhtur keq nga ekipi holandez, Groningen, të cilët i kishin mposhtur me 20 pikë epërsi në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve dhe nuk e ruajtën në ndeshjen e kthimit për tu eliminuar.
Sidoqoftë, Prishtina edhe nëse nuk arrin të kalojë raundin e parë kualifikues në BCL, do të ketë mundësinë që të tregohet përsëri në FIBA Europe Cup, ku në stinorin e kaluar kanë kaluar dy fazat grupore, për të shënuar histori në arritje për ekipet e basketbollit kosovar.
Prishtinës i duhet fat në Varshavë, në duelin që zhvillohet këtë të premte, 20 shtator, me fillim prej orës 20:00.