Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

TAHIR BATATINA

Batatina: Kemi bërë diçka madhore sot ndaj Arbërisë

Batatina: Kemi bërë diçka madhore sot ndaj Arbërisë


21 March, 2021 @16:23

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, është ndarë tejet i kënaqur me rezultatin e ndeshjes së sotme ndaj Arbërisë, por edhe me lojën e treguar në fushë.

Llapi e fitoi ndeshjen me rezultat 4-3, duke arkëtuar tri pikë të reja në Superligë.

RAPORTI I NDESHJES

Trajneri Batatina duke e komentuar ndeshjen, tha se si ekip po synojnë të jenë sa më lartë në tabelë, për të pasur më pas fokusin te objektivi kryesor që është Kupa.

“Vet rezultati po tregon se te Llapi po funksionon gjithçka perfekte. E kemi ditur që do të jetë një ndeshje e vështirë pasi kemi pasur një ndeshje jetike në gjysmëfinale të Kupës. Disa lojtarë i kemi pasur të lënduar, e disa kanë qenë të ngarkuar dhe nuk kam guxuar t’i fus në ndeshje. Duam të jemi sa më lartë në tabelë, të jemi komodë dhe të jemi fokusuar për objektivin tonë kryesor, që është Kupa e Kosovës. Llapi ka prioritet Kupën dhe daljen në Evropë”, tha Batatina për kanalin transmetues të ndeshjes.

Më tej ai foli edhe për lojtarët e rinj të inkuadruar në lojë, duke e quajtur si një dicka madhore pasi që me ta u arrit edhe fitorja.

“Sot më gëzon fakti që si skuadër edhe pse kemi pranuar gola, kemi bërë diçka madhore që është inkuadrimi i Ilir Krasniqit, Adonis Aliut dhe Muhamed Hysenit në ndeshje, tre lojtarë që janë me moshë 19 vjeçare dhe kur një trajner ka besim te lojtarët kaq të rinj në moshë dhe arrin të fitojë me ta ndeshjen, besoj që është shumë e rëndësishme. Po mundohem gjithmonë të rinjve t’u jap hapësirë dhe fokusi im si trajner është që nga Llapi të dalin lojtarë të mëdhenj sikur që janë edhe Festim Alidema, Mirlind Daku dhe Hajdin Salihu që tani luan me sukses në Kroaci”, tha ai.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga