NË ELITËN SUEDEZE!
Bersant Celina kalon në ligën suedeze
31 August, 2023 @23:09
Mesfushori i Kosovës, Bersant Celina, është anëtar i ri i ekipit suedez, AIK. Celina 26-vjeç është huazuar nga ekipi francez Dijon në ekipin suedez, ndërsa AIK-u ka mundësinë që t’ia blejë kartonin kosovarit në fund të stinorit.
Bersant Celina më parë ka luajtur në Manchester City, Twente, Swansea Ipswich e Kasimpasa. Ai ka 37 paraqitje të regjistruara me kombëtaren kosovare, ndërsa është lojtari ndër të parët që i është përgjigjur Kosovës. Celina ka realizuar dy herë për Kosovën, ndërsa njihet si mesfushor inteligjent.
Prizrenasi nuk është ftuar për ndeshjet e shtatorit nga selektori i ri i Kosovës, Primoz Gliha, i cili sot gjatë ditës shpalli listën e të ftuarve për ndeshjet kualifikuese drejt EURO 2024 ndaj Zvicrës e Rumanisë. AIK luan në elitën e futbollit suedez, Allsvenskan.