Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

S'KA FUTBOLL ENDE

Bojkoti në Superiore, flet Duka

TOPSPORTI/ Arkiv

Bojkoti në Superiore, flet Duka


Teksti: FSHF

15 September, 2020 @12:02

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka folur për bojkotin e klubeve të Kategorisë Superiore dhe për kërkesat e Ligës Profesioniste të Futbollit drejtuar qeverisë. I ftuar në emisionin “Pressing” në televizionin “ABC News”, kreu i qeverisë së futbolllit ka komentuar anën ligjore të këtyre kërkesave, ligjin për sponsorizimet, deklaratën e Kryeministrit, ndërsa ka prekur edhe tematika të tjera si Kombëtarja, situata e krijuar në KOKSH, etj.

Problematikat e futbollit – “E mira është të kemi futboll dhe kemi vuajtur këtë vit, duke pasur parasysh situatat e kaluara, me pandemi e tërmet. Nuk do ishte mirë të kishte bojkot, por një zgjidhje. Liga nuk janë 10 klube të Superiores, ato kanë edhe rreth 50 ekipe moshash dhe fëmijë që i edukojnë, Katër kërkesat e bëra janë për zhvillimin e futbollit. Kjo përçohet edhe te klubet e tjera. Personalisht jam kundër bojkotit, jam pro zgjidhjes në tavolinë. Është vullneti i shumicës ky. Duhet bërë maksimumi të zgjidhen gjërat. Koha ishte e mjaftueshme të zgjidhen ato katër kërkesa. Ato kërkesa janë ato premtime që u bënë në mars të vitit 2019.

Kryeministri tha që le të bëjmë një reformë dhe të ndërtojmë një strategji për zhvillimin e sportit. Janë bërë grupe pune, janë bërë disa ndryshime. Por nuk u bënë esencialet që ndihmojnë në zhvillimin e futbollit.

Asnjë nga kërkesat nuk devijon nga premtimet, madje aty u diskutuan më shumë dhe Liga ka kërkuar katër. Plotësimi i tyre i jep frymëmarrje futbollit shqiptar. U bë grupi i punës dhe morën specialistë nga FSHF, ministria. Në fund u katandis kaposhi në thelë dhe nuk u bënë ligjet që duheshin. Flitet për informalitet, por me këto masa tentohet rregullimi. Jemi dëshmitarë të një realiteti që futbolli e ka të vështirë të mbajë veten me këtë bazë ligjore që ka futbolli dhe me financimet që vijnë nga pushteti lokal.

Duam të shkojmë përpara. Kemi dy vite që duam ndërtimin e 100 fushave. FSHF nuk i bën dot vetë. Që Shqipëria të ketë nivel futbolli të kënaqshëm, na duhen minimalisht 500 fusha. Kemi 1 fushë për 100 mijë banorë. Islanda e vogël ka ndërtuar shumë fusha dhe ka suksese”.

Ulja e TVSH në 6 % – “Presidentët e kanë pasur merakun që kjo çështje do të bëhej politike. Por po të shikoni sloganin e Ligës, etiketohen qeveritë dhe jo qeveria. Shqipëria nuk shpik rrotën. Le të kopjojmë botën, të shohim si e kanë ndërtuar atë shtratin e zhvillimit të futbollit. Nuk jam për bojkot. Po të shohësh të gjitha zhvillimet, u jepet e drejtë klubeve. Ka kaluar shumë kohë dhe nuk u bë asgjë.

Nëse i kapim pikat një e nga një e t’i krahasojmë me ato në tavolinë, janë po ato. Vetë kryeministri tha le ta ndalojmë 5, 7 apo 10 vite tatimin për futbollistit. U bë vetëm dy vite, as minimalen jo. Ai tha që të hiqet edhe tatim-fitimi, por liga nuk e kërkon. Duhet një ligj i ri sponsorizimi dhe jemi gati të flasim.

Ky është qëndrimi ynë, jam gjithmonë i mendimit që duhet t’i zgjidhim. Kemi zgjidhur shumë çështje më parë dhe do i zgjidhim edhe këto. Vetë personalisht më ka premtuar që do i zgjidhim, që futbolli të ketë frymëmarrje. Pas takimit në mars kemi bërë takime me Ministren e Financave, me Kryetarin e Komisionit. Nuk kam arritur t’i bind për ndryshimet, ato kanë argumentet e tyre.

Normalisht kërkohet diçka nga buxheti që ky sport të ecë përpara. Thonë që TVSH të bëhet 6 për qind dhe ka komente, që thonë pse kaq shumë i rëndësishëm sporti. Nuk është më i rëndësishëm se bujqësia, që është jetike. Për bujqësinë jepen edhe donacione. Nuk po kërkojmë donacione.

Le të bëhet 6% dhe do ketë impakt të vogël në buxhetin e sportit. Duhet gjetur një balancë që të mos ketë më pas fatura që nuk duhet. Edhe futbolli ka nevojë për ndihmë. Për faturat duhet të japin 6%. Pastaj për infrastrukturën për mua duhet të jetë zero. Për donacionet janë zero, por duhen përjashtuar edhe kur investimet bëhen nga vetë klubet”

Negociatat me qeverinë – “Fideli ka të njëjtat mendime, i ka thënë publikisht. Ai është dakord për këto dhe gjëra të tjera. Ai ka rezerva të shumta, por nuk e ka mundësinë të zgjidhë diçka. Liga ka vendosur të shkojë në takim Sekretari i Përgjithshëm, Dritan Kadia. Unë kam qenë në zyrën e ministres së Financës dhe nuk kam zgjidhur asgjë.

Ne duhet të takohemi me ato që marrin vendime, jo të takohemi për konsume mediatike. Kryeministri ia vë vulën. Po ia vuri ai, që nesër jemi në lajme dhe themi që futbolli rikthehet.

Diskutimi vazhdon dhe uroj që të zgjidhet. Ndoshta nuk është nevojë të shkojnë te takimi dhe te kryeministri. Ata do ia propozojnë, gjithashtu edhe ne. Nuk është lëvizja ime dhe e federatës. Për ligjin e sportit jam konsultuar me z. Ylli. Nuk është se ai nuk na ka dëgjuar”

Ligji i sponsorizimit – “E përmenda ligjin e sponsorizimit dhe u kemi sjellë edhe specialistë nga Hungaria. Nuk mund të shkojmë 100 për qind te ligji hungarez. Kemi propozuar 30 %, ministria 25 % taksa kooperative. Hungaria e ka 80 për qind, Maqedonia 40, Kosova 30, Gjermania 50. Normalisht duhen saktësime për projektet, që të mos kalojmë në anarki. Në vitin 1994, katër përqind e sponsozrimit njihej. Ai ligj solli zero lekë. Ligji i vitit 2019 thotë që kanë të drejtë të sponsorizojnë ata që kanë fitim 1 miliard lekë. Ata kanë të drejtë të sponsorizojnë 5 për qind. Le të themi se sponsorizon 4 për qind, që janë 40 milionë lekë. Pa sponsorizuar paguan 132 milionë, duke sponsorizuar 120 milion lekë.

Më gjeni një biznes që sponsorizon për të kursyer 12 milion lekë. Përderisa ka dhënë rezultat zero deri tani, jam i bindur që kështu do të vazhdojë. Ne kemi propozuar, bashkë me Ministrinë e Arsimit. Në Hungari janë pesë federata prioritare, që mbështeten me ligjin. Ne mund të përcaktojmë dy, tre, disa federata”.

Tatimi mbi pagën & kamatëvonesat – “Nuk mund të paguajnë klubet sportistët me 5 mijë euro dhe të japë edhe 15 për qind. Dy vite nuk ka ndonjë efekt. Po t’i marrësh për 10 vite, nuk bëjnë sa një rrugicë në Përmet. Policët, arsimtarët paguhen 100 përqind nga buxheti i shtetit. Kosova po merr lojtarët më të mirë nga këtu. Detyrimi total, bashkë me principale, nuk i kalon 5 milionë euro. Kemi klubin e Tiranës. Halili tha që e kam blerë me borxhe klubin dhe është gati t’i paguajë, por të mos paguajë edhe kamata e gjoba. Klubet mendojnë se duhen shkarkuar nga kjo përgjegjësi.

Nëse i lëmë në atë gjendje, rrezikon falimentin. Nuk është kërkesë e palogjikshme. Kur erdhi në pushtet, qeveria fali kamatëvonesat për energjinë për shembull. Asnjëherë nuk është bërë për futbollin. Pse nuk krijoi precendetët për energjinë, kjo po. Atëherë do të marrim për bazë ligjet e licencimit dhe klubet e përmendura më lart të shpallin falimentin. Ne duam ta shmangim këtë situatë”.


 
Të gjitha lajmet nga