NGA KONFERENCA
Bunjaki do fitore, shpreson te ekipi
20 March, 2017 @13:14
Përzgjedhësi i përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaki, në konferencën e sotme për shtyp, përveç tjerash ka bërë të ditur edhe listën e të ftuarve, që pritej me padurim nga të publiku.
Pasi që ka arsyetuar ftesat për secilin lojtar veç e veç, Bunjaki ndër të tjera ka bërë të ditur se nuk ka trajner në botë që nuk del për fitore në ndonjë ndeshje.
Ai shpreson që Kosova të regjistrojë fitoren e parë në kualifikime ndaj Islandës, ndërsa ka vënë si shembull Islandën se si bëhet përparimi i një vendi në futboll, duke treguar edhe cilësinë e madhe që ka ekipi rival i radhës.
Mentaliteti dhe përvoja e Berishës na nevojitet - A. Bunjaki
Përkundër rezultateve të arritura deri tash, Bunjaki ka shtuar se ekipi do të provojë të tregojë lojë sa më të mirë.
“Futbollistët do të kenë tre stërvitje në total, deri në ndeshje që zhvillohet të premten,” ka bërë të ditur ndër të tjera ai.
Vlerësim të veçantë Bunjaki i ka dhënë Besart Berishës, që është rekord golashënues i elitës së futbollit australian dhe lojtar shumë kërkues.
“Mentaliteti i tij në lojë na nevojitet,” ka shtuar Bunjaki.
Berisha është lojtar agresiv në sulm dhe bën gjithçka për të arritur golin.
Mentalisht, fizikisht dhe durim - A. Bunjaki
“E sa i përket kritikave a është kështu mirë apo keq, do të shohim pas ndeshjes,” ka thënë Bunjaki.
Theks shtesë e Bunjakit ka qenë se në ndeshje ndaj Islandës më shumë luhet mentalisht, fizikisht dhe duhet pasur shumë durim, pasi që kundërshtari është pritës dhe kërkon gabimet për të sulmuar.
Të premten me fillim nga ora 20e45 Kosova do të ndeshet me Islandën për të kërkuar pikë tjera në kualifikim për Botërorin Rusia 2018.
Kosova është e 164-ta në renditjen e shteteve të FIFAs, ndërsa Islanda e 23-ta. Sa i përket Grupit I kualifikues, Kosova është e fundit në grup, me 1 pikë nga 4 ndeshje të zhvilluara, ndërsa Islanda e treta me 7 pikë nga 4 ndeshje.