Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

BERNARD CHALLANDES

Challandes: Ëndrra është e mundshme

Bernard Challandes 69-vjeçar duke qeshur në konferencën e sotme për shtyp/ FOTO: FFK

Challandes: Ëndrra është e mundshme


7 October, 2020 @23:39

Bernard Challandes përkundër të gjitha mungesave që ka Kosova për ndeshje ndaj Maqedonisë Veriore është optimist.

Në konferencën e sontme për shtyp në Shkup para ndeshjes ai ka thënë se kur erdhi te Kosova si selektor të gjithë e kishin një ëndërr, evropianin. Tash kjo ëndërr është shumë afër realizimit dhe është në dorën tonë.

“Para dy viteve e gjysmë kur mora drejtimin e ekipit kishim një ëndërr. Ky nuk ishte qëllim, por një ëndërr. Tash këtë ëndërr e kemi para nesh. Ajo ëndërr tash është e mundshme, por kemi probleme që erdhën me kohë dhe nuk jemi në situatë më të mirë, por Kosova ka treguar si ekip që s’ka frikë nga asgjë,” ka thënë fillimisht selektori zviceran i Kosovës, Bernard Challandes.

Trajneri 69-vjeçar i Kosovës ka thënë se jo vetëm ai, por lojtarët dhe e gjithë Kosova është e gatshme për këtë ndeshje.

“Unë jam gati për këtë ndeshje, ne jemi gati për këtë ndeshje. Kualifikimi është i mundshëm. Maqedoninë e njohim, është ekip i mirë, por mundësia është në dorën tonë,” ka thënë ai.

Ai u ballafaqua edhe me një pyetje interesante që erdhi në konferencë. A do të pranonte të luante ndeshjen me tifozë në Shkup në atmosferën që do të anonte kah Maqedonia dhe pa mungesa të lojtarëve kryesorë, apo do të pranonte mundësinë pa tifozë, por me mungesa që i ka.

“Me lojtarët që nuk janë apo ata që janë nuk besoj që është pyetje e mirë të parashtrohet. E sigurt është që futbolli më pëlqen me spektatorë. Natyrisht do të doja t’i kem të gjithë lojtarët në dispozicion, por tash në këtë gjendje duhet pranuar situatën ku ndodhemi,” ka qenë përgjigja e tij.

Në ndërkohë Challandes ka sqaruar edhe situatën me Amir Rrahmanin, ku ka bërë të ditur se e përkundër të gjithave, nuk po e kupton këtë mënyrë të funksionimit të autoriteteve italiane.

“Situatën me Rrahmanin mund ta shpjegoj, por jo edhe ta kuptojë mirë. Jemi në situatë speciale me COVID-19. Ne kemi bërë kërkesa prej FIFA-së, te Federata, shteti italian dhe autoritetet shëndetësore të rajonit të Napolit. Vendimi është i autoriteteve shëndetësore të Napolit. Për mua nuk është e qartë pse një lojtar nga një rajon nuk mund të vij, ndërsa një lojtar tjetër nga një rajon tjetër i Italisë mund të vij, duke ditur se nga ekipi i tij ka raste me coronavirus. Pse? Nuk e kam të qartë. Por, nuk dua të kërkoj justifikim. Duhet të shikojmë përpara dhe të ruajmë energjinë për ndeshjen që na pret,” ka shpjeguar Challandes.

Arritja e historisë dhe afrimi në një ndeshje para biletës për EURO 2020 është në kokë të trajnerit dhe në këmbë të futbollistëve të Kosovës.

Mundësia, siç thotë edhe vetë Challandes, është në dorën tonë. Me pak fat, Kosova mund të bëj hapin e parafundit për t’iu afruar finales së madhe që shpien në Kampionatin historik Evropian, EURO 2020, që do të zhvillohet në vitin e ardhshëm 2021, pasi që nga UEFA-ja u shtye për shkak të pandemisë. Ndeshja fillon më 8 tetor 2020 në ora 20:45. Ajo duhet të nxjerrë fituesin, nëse jo nga koha e rregullt e pas vazhdimeve, atëherë pas penalltive.


 
Të gjitha lajmet nga