RIVENDOS REKORDIN
Chelsea bën rekord-transferin britanik
15 August, 2023 @9:33
Me kompletimin e marrëveshjes dhe me nënshkrimin e vënë në kontratë, Moises Caicedo është lojtar i ri i Chelseat. Ekuadoriani 21-vjeç ka nënshkruar kontratë 8-vjeçare me ekipin nga Stamford Bridge, ndërsa Chelsea ka thyer rekordin e transfereve britanike duke paguar 115 milionë funta (133-milionë euro) në llogari të Brightonit.
Por, interesantja është se të premten që e lamë pas, Liverpool e Brighton ranë dakord për ekuadorianin për çmimin e 111 milionë funtave! Mirëpo, Caicedo preferoi Chelsean si ekip, ndërsa londinezët me një ngritje të lehtë të ofertës kryen punë menjëherë dhe tashmë njeriu që i kishte kushtuar Brightonit 4-milionë funta në shkurt të vitit 2021, u largohet si rekord-transfer në ishull.
“Nuk kam menduar dy herë kur Chelsea më thirri. E dija se duhej të nënshkruaja për këtë klub. Më është realizuar ëndrra dhe mezi pres që të nis punën me ekipin e ri,” — ka thënë Caicedo për faqen zyrtare të Chelseat gjatë prezantimit të tij aty.
Përndryshe Chelsea nisi Premier Ligën 2023/24 me barazim në derbi ndaj Liverpoolit, 1-1. Kujtojmë, rekord-transferin britanik e mbante Chelsea nga viti i kaluar kur solli argjentinasin Enzo Fernandez nga Benfica për 106.7-milionë funta.