Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

SOKOL CIKALLESHI PENSIONOHET NGA KOMBËTARJA

Cikalleshi falenderon ata që i besuan dhe përshëndetet nga kombëtarja

Foto: FSHF

Cikalleshi falenderon ata që i besuan dhe përshëndetet nga kombëtarja


28 May, 2024 @16:37

Sulmuesi i Shqipërisë, Sokol Cikalleshi, përmes një mesazhi botuar në llogaritë e tij të rrjeteve sociale, ka bërë të ditur se po tërhiqet përfundimisht nga kombëtarja.

Tërheqja e tij vjen një ditë pasi që përzgjedhësi Sylvinho nuk e pa të arsyeshme ta ftojë atë në EURO 2024, ku Shqipëria do të bëj pjesë në grupin e “vdekjes” me Italinë, Kroacinë e Spanjën.

“Fundi i një rrugëtimi” e ka vendosur titullin në mesazhin e tij të gjatë 33-vjeçari që ka bërë karrierë në shumë ekipe, ndërsa së fundi po luan në Superligën turke me Konyasporin.

Kavajasi ka shprehur falenderime prej Zotit, te familja, pastaj tifozët Kuq e Zi - për të cilët ka theksuar se meritojnë më shumë sesa që ekipi ka dhënë në fushë gjatë gjithë kohës.

Sokol Cikalleshi

Kurse në fund ka shkruar se i uron shokët në EURO 2024 për sukses.

“Lutem Zotit që shokët që do të vijojnë rrugëtimin në EURO 2024 të kenë sukses dhe të bëjnë një paraqitje dinjitoze,” ka thënë në fund ai.

“Cika” siç thirret shkurt Sokoli ka marrë mesazhe të shumta me emoji zemre, ndërsa theksojmë bashkëlojtarët si Odise Roshi, Bekim Balaj, Jasir Asani, Arlind Ajeti, Elseid Hysaj, Ansi Agolli, Lorenc Trashi, Migjen Basha dhe të therë që i kthyen shpejt mesazhet në Instagram.

Përgjatë karrierës së tij në kombëtaren shqiptare, Cikalleshi ka luajtur 59 ndeshje për kuqezinjtë ndërsa ka shënuar 13 gola. Ai debutoi për ekipin senior më 31 maj 2014 nën direktivat e Gianni De Biasit, ndërsa më parë ka qenë pjesë e Shqipërisë U21, U20 dhe U19.


 
Të gjitha lajmet nga Evropiani