SELEKTORI MAQEDON DO FITORE

Reprezentacioni i IRJ Maqedonisë/ Foto: sport.mk
Davitkov: Në Kosovë për fitore!
31 July, 2017 @15:33
Reprezentacioni i Maqedonisë do të jetë mysafiri i parë i Kosovës në kuadër të Grupit C parakualifikues për Botërorin “Kina 2019”, ku më 2 gusht do të zhvillohet ndeshja ndërmjet Kosovës e Maqedonisë në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë.
Askush s’mund të jetë 100% i gatshëm me 40 ditë përgatitje - DAVITKOV
Selektori i Maqedonisë, Jordanco Davitkov, në bisedën e fundit të tij me gazetarët para ndeshjes me Kosovën ka treguar shumë gjëra, por ajo që është më e rëndësishmja ka thënë se vetëm fitorja kryen punë në Kosovë, përkundër se të gjitha ndeshjet kanë rëndësi të njejtë.
“Nuk jemi 100% të gatshëm, nëse doni të dini realisht. Me 40 ditë punë askush s’mund të jetë 100% i gatshëm, por jemi në formë të mirë dhe mund t’i dalim ballë këtyre ndeshjeve para-kualifkuese,” ka thënë fillimisht Davitkov, përzgjedhës i rivalit të Kosovës.
SHIKO: Orarin e ndeshjeve dhe Grupet
Më tej ai ka shtuar se çdo kosh, çdo pikë, do të jetë e rëndësishme në këto kualifikime.
“Do të jetë shumë vështirë në këto kualifikime. Do të jetë vështirë edhe në Prishtinë. Palestra do të jetë e mbushur, do të ketë presion, të shohim edhe si do të gjinden referët në këtë atmosferë... pastaj mendoj se çdo pikë e shënuar do të jetë e rëndësishme në këto kualifikime, pasi që mund të vendosin kush kalon tutje e kush jo në këtë grup,” ka shtuar Davitkov, që ka cekur se amerikani i natyralizuar i ekipit, Jordan Theodore ka arritur formën e tij ideale para ndeshjes së 2 gushtit në Prishtinë.
Berisha është arma kryesore e tyre - DAVITKOV
Duke shtuar se gjysma e lojtarëve të Maqedonisë njohin mirë atmosferën në palestrat kosovare nga BIBL dhe provokimet që iu bëhen aty, ai ka shtuar se ekipi i tij është i gatshëm për çdo rast dhe nuk do të bie pre e provokimeve që mund ti bëhen, pasi që do të luajnë lojën e tyre.
Në anën tjetër, sa i përket ekipit të Kosovës, Davitkov 53 vjeç ka thënë se e ka analizuar mirë kundërshtarin.
“Po, i kemi analizuar. Edhe sot do të vazhdojmë të shikojmë lojën e tyre. Mund të them se Kosova ka ekip të mirë. Me Gëzim Morinën dhe Erjon Kastratin ata janë përforcuar, por armë kryesore e kanë Dardan Berishën, të cilin do t’ia jap një lojtari ta ndalë. Nuk do të jem i kënaqur as me humbje minimale. Shkojmë për fitore,” ka përfunduar ai.
Grupi C parakualifikues përveç Kosovës dhe Maqedonisë ka edhe Estoninë. Dy skuadra nga ky grup do të kalojnë tutje. Ndërsa ndeshjet pritet të jenë të ngushta në rezultat dhe lufta e ashpër për 2 biletat që çojnë në fazën tjetër kualifikuese.