DE BIASI
De Biasi i kënaqur me rezultatin
5 September, 2015 @10:01
Rezultati i barabartë pa gola është i kënaqshëm për përzgjedhësin e kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi.
Strategu italian në intervistën e tij pas ndeshjes për Supersport, ka shprehur kënaqësinë e tij, derisa kujton rastin në minutat e fundit kur Shqipëria kishte rastin për të shënuar me anë të Roshit
“Jam shumë i kënaqur, edhe pse u mundova deri në fund të bënim diçka për të balancuar lojën dhe futa lojtarë të shpejtë në kundërsulm. Në aksionin e fundit mund të bënim diçka më shumë dhe më vjen keq, sepse mund të fitonim. Në pjesën e parë ishim superiorë dhe kishim epërsi në mesfushë, ndaj mund të bënim diçka më shumë në aspektin e zotërimit të topit dhe lojës. Megjithatë, kishim shumë tension dhe rezultati ishte prioritet,” tha De Biasi.
Tashmë kapitulli “Danimarkë” ka marrë fund, dhe kuqezinjtë nuk kanë kohë të menojnë më për këtë ndeshje pasi që para tyre është ndeshja e radhës ndaj Portugalisë, që do të luhet të hënën në Elbasan Arena.
Në lidhje me këtë ndeshje, De Biasi tha se krahasimet me Portugalinë janë të kota, duke pasur parasysh cilësinë dhe eksperiencën e madhe të kundërshtarit.
“Portugalia është përmirësuar ndjeshëm me trajnerin Fernando Santos, ka lojtarë cilësorë dhe me shumë eksperiencë, është e kotë që të bëjmë krahasime. Është një pengesë shumë e vështirë, shpresojmë të bëjmë detyrën dhe gjithashtu që Danimarka të gabojë në Armeni,” përfundoi ai.