TRAJNERI I KOMBËTARES
De Biasi porosit talentët
3 February, 2015 @9:37
Gianni De Biasi, trajner i kuqezinjëve, ka treguar në mënyrën e tij se në vitin 2015 vështirë se do të mund të afrojë ndonjë lojtar të ri në kombëtaren shqiptare.
Kjo, pasi që ai ka porositur talentët e ekipeve U-19 dhe U-21 të Shqipërisë, që të koncentrohen në reprezentacionet përkatëse dhe se me kohë ata do të arrijnë kombëtaren A.
“Mendoj se kryesore është që ne të gjithë së bashku, duke filluar nga unë e deri te trajnerët e ekipeve të të gjitha kategorive, të punojmë në bazë për të arritur në maje të piramidës me lojtarët më të mirë,” ka thënë fillimisht De Biasi, në qendrën e ekipeve komëbtare në Kamzë, transmeton Panorama Sport.
“Me rëndësi është që të jesh pjesë e një skuadre kombëtare, qoftë U-19, qoftë U-21. Çdonjëri është lojtar i kombëtares, edhe nëse luan për Skënder Gegën, edhe për Dzemal Mustedanagicin, edhe për ekipin që drejtoj unë. Kush bën dallime, nuk ka dëshirë për të luajtur me kombëtaren, por të bjerë në sy. Ne do të hedhim sy te futbollistët që luajnë në vazhdimësi, pasi që shkuarja në ekip të parë është shumë vështirë aktualisht, duke qenë se kemi skuadër të mirë,” ka shtuar ndër të tjera italiani 56 vjeç, që me Shqipërinë po shikon mundësinë për të arritur historinë duke u kualkifikuar në EURO 2016.
Përveç kësaj, në Kamzë janë paraqitur edhe futbollistët e ardhur nga Kosova, derisa specialistët e FSHF-së, Bujar Kasmi dhe Redi Jupi, bashkë me Gianni De Biasi, Paolo Tramezzani, Dzemal Mustedanagic dhe Altin Lala, kanë vlerësuar performancat e tyre.