DERBI I XHIROS NË "REXHEP REXHEPI"
Derbi i ashpër, me barazim
21 November, 2015 @15:00
Dy skuadrat që po mëtojnë titullin kampion këtë stinor, Ferronikeli dhe Gjilani, janë ndarë baraz sot në “Rexhep Rexhepi” të Drenasit.
Golat erdhën shumë shpejtë dhe fituesi nuk erdhi edhe pse raste kishte nga të dyja palët, e posaçërisht nga Ferronikeli.
Gjilani përfundoi ndeshjen me 2 lojtarë më pak në fushë pasi që në 15 minutat e fundit njëherë doli nga ndeshja Betim Haxhimusa e pastaj edhe Fidan Hasani - të dy me kartona të kuq.
Fillimi i ndeshjes premtoi shumë më shumë, kur Dren Gashi i Gjilanit depërtoi i vetëm në mbrojtjen e drenicakëve, shutoi dhe pas intervenimit jo të mirë të Granit Kolshit, topi përfundoi në rrjetë për 0-1.
Por në çastet kur ekipi i Bylbyl Sokolit mendoi se do ta merr dominimin e lojës, një krosim i bukur i Behar Maliqit gjeti Përparim Livorekën që goditi për të shënuar, ndërsa Arbër Shala i mysafirëve shënoi autogol për barazim në minutën e 11-të të takimit.
Ndeshja u karakterizuar me ngacmime të futbollistëve të palëve rivale si dhe me fishkëllima e hudhje nga tribunat.
Ferronikeli mbetet në vend të parë të klasifikimit, derisa Gjilani aktualisht është i treti në tabelë pas përballjes së sotme, ku arriti të dalë i pamposhtur.