Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

BARAZIM NË DERBIN LOKAL

Derbi i kryeqytetit, mbyllet pa fitues

Foto: 2korriku.com

Derbi i kryeqytetit, mbyllet pa fitues


Teksti: 2korriku.com

26 February, 2023 @21:22

Flamurtari – 2 Korriku prodhoi dy gola, por jo edhe fitues; “verdheblutë” nuk arritën që ta ruajnë epërsinë e fituar gjashtë minuta pas fillimit të fraksionit të dytë të ndeshjes dhe si rrjedhojë nga “Xhemail Ibishi” dolën me vetëm një pikë të fituar.

Skuadrat kryeqytetase, të drejtuara nga Ndriqim Kashami e Besim Ademi, sot nuk treguan më të mirën e tyre. Ekipet nga kryeqendra patën rastet e tyre, dy nga të cilat i konkretizuan, por sërish ndeshja nuk ishte më e mira e mundshme, me një pjesë të futbollistëve që lanë për të dëshiruar dhe me ritmin që kishte shumë ulje e ngritje.

Ndeshjen më rrezikshëm e nisi skuadra nga Arbëria; Avdiu mori topin, kaloi dy-tre futbollistë vendës dhe goditi, por plogësht – topi shkoi jashtë (9’).

Ca minuta më vonë – ish-i i 2 Korrikut, Zoungrana pranoi topin, u kthye kah porta mysafire dhe dha një goditje, e cila përfundoi lehtë në duart e portierit Ajeti (15’).

Flamurtari sikur nisi ta marrë ndeshjen në kontroll; ishte kapiteni Hasanaj që vendosi të godasë nga jashtë zonës së 16-metërisht, por topi i goditur nga ai shkoi larg portës (17’).

Në minutën 35’ ishte radha për rastin e radhës të “kuqezinjve”. Topin e dëbuar nga zona mysafire e shfrytëzoi Islami i Flamurtarit – futbollisti goditi fuqishëm e topi para se të mbërrinte tek porta preku tokën, por asgjë nuk ishte befasi për “gardianin” Ajeti, që me shumë mund dëboi topin në rivënie këndi.

Tutje, futbollisti i veshur me fanelën e 2 Korrikut, mesfushori Ylli Prekopuca tentoi një goditje nga jashtë zonës, por që nuk arriti të kordinohej si duhet dhe topi shkoi bukur larg portës (39’) – shifrat mbetën të pandryshuara.

Fundi i pjesës së parë e gjeti edhe një herë Flamurtarin më kërkues; sërish Islami goditi pas topit të marrë nga Zeqiri që shpejt e nisi gjuajtjen e lirë të fituar sekonda më parë, por goditja e tij e fuqishme nuk shqetësoi shumë portierin mysafir, i cili pa topin të shkojë jashtë kornizës së portës që ai po mbronte (41’).

Fraksioni i dytë nisi furishëm; Avdiu mori një top dhe kaloi bukur Roni Gashin, por nuk u lejua të depërtoj më shumë, duke u penguar pikërisht nga Gashi në hyrje të zonës së vendësve. Camara mori përsipër gjuajtjen e lirë – topi i dërguar në zonë u dëbua nga mbrojtja e Flamurtarit e iu rregullua për mrekulli Flamur Bajramit të mysafirëve, e i cili nuk priti fare, goditi fuqishëm dhe dërgoi topin në rrjetë (51’). Gëzim i madh në fushë e jashtë saj tek banka rezervë e “verdhebluve”.

Goli i skuadrës nga lagjja Arbëria sikur qetësoi situatën; Flamurtari në vijim pati për synim barazimin e 2 Korriku mbrojtjen e epërsisë. Qëllimin e arriti Flamurtari; luhej minuta e 73’të kur Islami i “kuqezinjëve” u pengua disa metra jashtë zonës e po për këtë u akordua faull në të mirë të tij; nga kjo goditje e lirë, pas së cilës u lëndua mbrojtësi Përparim Osmani i 2 Korrikut si shkak i duelit që pati me Islamin, skuadra vendëse arriti qëllimin – realizoi me Arbnor Zeqirin për 1:1 (74’).

Flamurtari natyrshëm se “mori zemër” e kërkoi edhe fitoren, mirëpo skuadra “verdheblu” pati mundësi të jashtëzakonshme që të kalojë sërish në epërsi; pas një topi të ardhur nga ana e majtë, Bllaca nuk arriti të zgjatej mjaftueshëm për ta dërguar topin krejtësisht në rrjetë dhe u stopua nga Behluli i vendësve që dëboi topin tutje (75’).

Tre minuta më vonë, në skenë doli sërish Flamurtari; Qëndrim Ismajli tentoi befasinë, goditi, por shumë lehtë – topi shkoi në duart e Ajetit (78’).

Dhjetë minutat e radhës sikur i kaploi heshtja; e vetmja gjë që vlen të përmendet në këtë kohë ishte debutimi i qendër-sulmuesit Hallie tek 2 Korriku, ndërsa për sa i përket dramës së ndeshjes u desh të pritej koha shtesë; kur po luhej minuta e parë e shtesës, ishte sërish Islami i Flamurtarit që doli në pah. Futbollisti “kuqezi” u inkuadrua nga një pozitë shumë diskutabile për pozitë jashtë loje, kaloi portierin mysafir dhe goditi mjaft plogësht, por për fat të mirë të mysafirëve, topi përfundoi në shtyllë e më pas doli jashtë, duke i mbajtur kështu shifrat e pandryshuara (90’+1’).

Në këtë mënyrë, pa gola tjerë, me rezultatin 1:1, u mbyll i tërë takimi derbi i xhiros së gjashtëmbëdhjetë të Viva Fresh Ligës së Parë.

2 Korriku me pikën e fituar mbetet në pozitën e tetë me trembëdhjetë pikë; në xhiron e radhës “verdheblutë” i “bëjnë konak” skuadrës së parafundit në renditjen tabelare, Arbërisë.

Viva Fresh Liga e Parë; Java e Pesëmbëdhjetë

Flamurtari – 2 Korriku [1:1] (0:0 pas pjesës së parë)

Golashënues: Arbnor Zeqiri (74’) – Flamur Bajrami (51’)

Gjyqtarët: Flamur Nagavci, Fatmir Abrashi, Albion Qelaj

Delegat i ndeshjes: Xhabir Hajrullaga

Vëzhgues i gjyqtarëve: Safet Berisha

Formacioni startues i Flamurtarit: L. Behluli, B. F. Moraes, R. Gashi, A. Shaljani, N. Memaj (B. Shaqiri 80’), E. Brajshori (Q. Ismajli 60’), K. Hasanaj /kap./, A. Mustafa (D. Cikaj 88’), L. Islami, A. Zeqiri, A. R. B. Zoungrana. Kryetrajner: Ndriqim Kabashi.

Formacioni startues i 2 Korrikut: A. Ajeti, R. Jashari, A. Salihu, A. Beqiri, P. Osmani, A. Oruqi /kap./(i. Lebbie 82’), Y. Prekopuca (G. Latifi 63’), A. Bllaca, G. M. Camara, M. Avdiu (B. Qorri 63’), F. Bajrami 9I. Hallie 82’). Kryetrajner: Besim Ademi.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Liga e parë