SHQIPËRIA
Dështojnë miqësoret cilësore
29 October, 2015 @21:32
Përveç tetë skuadrave që do të luftojnë në barazh për të kërkuar biletën për EURO 2016 (Suedia, Danimarka, Hungaria, Sllovenia, Bosnja, Ukraina, Irlanda dhe Norvegjia), pjesa më e madhe e përfaqësueseve europiane ka siguruar tashmë kundërshtarët për ndeshjet miqësore në këto data të lira për takime nga FIFA.
Rivali që përfolej se Shqipëria ishte në bisedime, Polonia, tashmë ka zyrtarizuar përballjet më 13 dhe 17 nëntor. Robert Lewandowski me kompani do të takohet me Islandën pastaj me Çekinë në miqësoret e nëntorit.
Finlanda, një ekip tjetër që përflitej në media, ende nuk ka caktuar rivalin, derisa Sllovakia, Zvicra, Irlanda Veriore, Spanja, Italia, Belgjika, Gjermania, Turqia, Uellsi, Holanda, Letonia, Rusia, Portugalia, Austria e disa ekipe tjera tashmë janë të zëna për këto data.
Me përfaqësueset e forta latinoamerikane është e pamundur të luhet, për shkak se ato luajnë kualifikimet për Botërorin Rusia 2018 në këto data, sikurse edhe ato afrikane.
Shqipëria, për më tepër, ështe duke e mbajtur peng edhe përfaqësuesen e Kosovës, pasi që ka arritur marrëveshje për një miqësore festive në Prishtinë, por nuk ka caktuar datën.
Kështu, as Kosova nuk po mund të caktojë datën për një rival tjetër.