LEGJENDA
Scholes kritikon Van Gaalin
29 October, 2015 @21:18
Mesfushori i dikurshëm i Manchester Unitedit, Paul Scholes, që ka qenë njëri ndër lojtarët më të mirë në pozitën e tij në rruzull, ka thënë se nuk do të dëshironte të luante në këtë Manchesterin e sotëm të drejtuar nga Louis Van Gaal.
“S’kanë kreativitet dhe nuk rrezikojnë fare. Mua nuk do të më kënaqte të luaja në këtë Manchester që nuk sulmon, por mbrohet më shumë. Gjëja më e vështirë për tu trajnuar është shënimi dhe kreativiteti,” ka thënë Scholes për BBC Radio Manchesterin sot.
“Kam luajtur me qendërsulmues briliant gjatë karrierës dhe besomëni, asnjëri prej tyre nuk do të mund të kishte sukses në sulm me këtë lojë të sotme, as Ruud Van Nistelrooy, as Andy Cole, as Dwight Yorke e as Teddy Sheringham,” ka shtuar më tutje legjenda e klubit dhe e përfaqësueses angleze.
Për më tepër ai ka dhënë detaje edhe nga derbi i Manchesterit, që përfundoi 0-0, për të ilustruar me shembull atë që po e mendonte.
“Ishte derbi të dielën. Wayne Rooney lëvizte në zonë në mënyrë briliante. Por, askush nuk është i gatshëm që të pasojë te ai,” ka thënë ndër të tjera Scholes, transmeton radioja në fjalë.