EURO2020
Dita 17, nisin përballjet mes “të mëdhenjve”
27 June, 2021 @9:57
Dy çerekfinalistët e parë të këtij evropiani janë Danimarka dhe Italia. Këto dy përfaqësuese fazën çerekfinale e siguruan dje pas fitoreve ndaj Uellsit, respektivisht Austrisë.
E sot pas dy ndeshjeve të ditës do t’i kuptojmë dy çerekfinalistët e radhës.
Ndeshja e parë e ditës së sotme luhet me fillim nga ora 18:00, ku për çerekfinale mes vete do të luftojnë Holanda dhe Republika Çeke. Pas formës tejet të mirë në grupe, Holanda është favorite për ta kaluar Republikën Çeke. Kjo e fundit, nën udhëheqjen e Patrik Schick, do të provojë që me mbrojtje të mirë dhe me kundërsulme t’i befasojë holandezët, për ta arritur çerekfinalen, ku do të takohej me Danimarkën.
E vëmendja kryesore sot është te ndeshja e dytë e ditës, ajo mes Belgjikës dhe Portugalisë në ora 21:00.
Dy prej përfaqësueseve favorite për ta fituar kampionatin përballen mes vete në një fazë shumë të hershme dhe njëra prej tyre detyrimisht do t’i paketojë valixhet sonte.
Mungesa e Joao Cancelos ka bërë që Portugalia me Semedon mbrojtës të djathtë të ketë shumë hapësira në atë krah, gjë që mund ta shfrytëzojë sulmi i frikshëm belg. Në anën tjetër, edhe mbrojtja belge nuk është kushedi sa e mirë dhe Portugalia me Ronaldon e Bernardo Silvën do ta tentojë ta shfrytëzojë maksimalisht këtë gjë. Punë të madhe dhe të rëndësishme te portugezët do të kenë Renato Sanches e Joao Moutinho, për ta neutralizuar Kevin De Bruynen, ndërkohë që edhe Pepe në moshë mund të ketë probleme me Lukakun.
Pak më favorite mund të quhet Belgjika, por megjithatë duhet të jetë një ndeshje mjaft e mirë. Fituesi i këtij dueli në çerekfinale përballet me Italinë.