EURO2020
Dita 18, favorite Spanja e Franca
28 June, 2021 @8:30
Na kanë mbetur pa u përcaktuar edhe 4 çerekfinalistët e fundit të këtij evropiani.
E katër të fundit do t’i kuptojmë pas ndeshjeve që luhen sot dhe nesër.
Sa i përket ditës së sotme, çerekfinalistët do të përcaktohen pas ndeshjeve Kroaci - Spanjë dhe Francë - Zvicër.
Ndeshja mes përfaqësueses ballkanase dhe asaj iberike luhet sot me fillim nga ora 18:00, kurse ndeshja tjetër e lartpërmendur luhet me fillim nga ora 21:00.
Ndonëse nuk shkëlqeu në dy ndeshjet e para, Spanja ishte fantastike në ndeshjen e tretë ndaj Sllovakisë, kurse Kroacia, nënkampionja nën fuqi e Botës, grupet i kaloi falë magjisë së Luka Modric, i cili përkundër moshës po vazhdon të dhurojë paraqitje spektakolare. Favorite për të kaluar në çerekfinale nga ky duel është përfaqësuesja spanjolle, e cila në rast kualifikimi do të përballet me fituesin e duelit tjetër të ditës, Francë - Zvicër.
Franca nuk ka treguar aq sa është pritur në ndeshjet e grupit, por megjithatë e ka arritur kualifikimin dhe tashmë rëndësi kanë vetëm ndeshjet e ardhshme. Nëse yjet kryesorë e gjejnë formën në ndeshjet e mbetura, Francës padyshim që do t’i shtoheshin gjasat për ta fituar këtë evropian.