EURO2020
Dita 19, presim dy çerekfinalistët e fundit
29 June, 2021 @8:35
Pas dy ndeshjeve tejet të mira që i shikuam dje, sot EURO2020 vjen me dy ndeshjet e fundit të 1/8 së finales.
Kështu, pas ndeshjeve të sotme do t´i kuptojmë të katër çiftet çerekfinaliste.
Me fillim nga ora 18:00 sot zhvillohet ndeshja kryesore e ditës, ajo mes Anglisë dhe Gjermanisë. Anglezët, si zakonisht pak të mbivlerësuar para fillimit të kampionatit, në këtë kampionat po luajnë më keq se që pritej, kurse gjermanët, për dallim prej kampionateve tjera, këtë kampionat janë disi të nënvlerësuar nga shumica, e kjo mund të ketë ndikim pozitiv te ta në aspektin psikik.
Pasi që kemi të bëjmë me Gareth Southgate, ndeshja e Anglisë vështirë se do të na dhurojë kënaqësi ashtu sikur ndeshjes e ditës së djeshme, por megjithatë shpresojmë në ndeshje të fortë.
Në ndeshjen tjetër të ditës, Suedia përballet me Ukrainën në ora 21:00. Pasi e kryesoi grupin e saj, ku ishte edhe Spanja, Suedia llogaritet favorite për ta kaluar Ukrainën, mirëpo kjo e fundit ka plot armë sulmuese dhe nuk do të ishte edhe shumë alarmante nëse do ta eliminonte Suedinë.
Në çerekfinale mes vete do të takohen dy fituesit e ndeshjeve të sotme, e më pas fituesi i tyre luan në gjysmëfinale me fituesin e duelit Çeki - Danimarkë.