NGA "FADIL VOKRRI"
Domgjoni stërvitet, Kosova nis përgatitjet me 5 mungesa
4 October, 2021 @22:44
Kombëtarja e Kosovës e ka nisur sot grumbullimin për dy ndeshjet e këtij muaji në kuadër të kualifikimeve për Botërorin “Katar 2022” kundër Suedisë dhe Gjeorgjisë.
Si zakonisht Dardanët menjëherë pas ndeshjeve të fundjavës me klubet e tyre kanë arritur në Kosovë dhe janë akomoduar në hotel, derisa në mbrëmjen e sotme e kanë zhvilluar stërvitjen e parë në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Në këtë stërvitje përzgjedhësi Bernard Challandes dhe stafi i tij kishin në dispozicion 19 futbollistë, teksa ekipit nga stërvitja e nesërme do t’i bashkohen edhe Milot Rashica, Bersant Celina, Florent Hadërgjonaj, Lirim Kastrati dhe Herolind Shala.
ORARI I NDESHJEVE dhe TABELA AKTUALE
Për herë të parë pjesë e Dardanëve ishte edhe Toni Domgjoni, të cilit stafi dhe bashkëlojtarët i dëshiruan mirëseardhje dhe ambientim të lehtë me ekipin.
Futbollistët që ishin të angazhuar me klubet e tyre gjatë ditës së diel kanë stërvitur me intensitet më të ulët, derisa pjesa tjetër kanë stërvitur normalisht. Për herë të parë në stërvitje me përfaqësuesen e futbollit ishte mesfushori që luan për Vitessen në Holandë, Toni Domgjoni. Por, Domgjonit i duhet leja nga FIFA për të qenë i gatshëm të luajë për Kosovën. Ai deri në mars ka luajtur për U-21 të Zvicrës.
Dardanët do të vazhdojnë përgatitjet të kompletuar dhe me intensitet të plotë ditëve në vazhdim, ku nesër do të zbresin sërish në fushë në orën 17:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”, derisa më pas për dy ditë do të stërviten në Kompleksin e FFK-së në Hajvali në orën 12:00.