CHAMPIONS LEAGUE
Drita eliminon Interin, arrin finalen parakualifikuese
8 August, 2020 @21:23
Drita ka kaluar pengesën e parë në rrugëtimin e saj të stinorit 2020/21 në Ligë të Kampionëve.
Futbollistët e drejtuar nga Ardian Nuhiu kanë mposhtur me rezultat 2-1 [Xhevdet Shabani 21, Hamdi Namani 45 - Emili Garcia 29] ekipin kampion të Andorrës, Inter Escalades, për të kaluar në finale të fazës parakualifikuese.
E aty intelektualët i pret kampioni i Irlandës Veriore, Linfield që sot mposhti kampionin e San Marinos, Tre Fiore 2-0.
Drita dominoi gjatë gjithë takimit sa i përket posedimit të topit, ndërsa golin e parë e shënoi jashtëzakonisht bukur njëri ndër më të dalluarit sot, Xhevdet Shabani (21’)
Rivali përkundër që nuk pati shumë nga loja, një rast të mirë nga ndërprerja e shfrytëzoi maksimalisht dhe barazoi me Emili Garcian pas një krosimi nga gjuajtja e lirë.
Sidoqoftë Drita u këndell shpejt dhe riktheu iniciativën, duke sulmuar nga krahët, kryesisht nga ana e Xhevdetit, prej nga edhe erdhi goli i dytë i ekipit, që doli të jetë i fitores.
Në minutën e fundit të pjesës së parë, Xhevdet Shabani pranoi një top nga mesi i fushës dhe në mungesë të bashkëlojtarëve për të kombinuar në krah, depërtoi deri në zonë ku gjeti hapësirë për krosim.
Krosimi i tij u dëbua nga mbrojtja e Interit dhe ky top arriti në këmbët e Hamdi Namanit, që me të jashtmen qëlloi rrjetën e kampionit të Andorrës për të shkuar në pushim qetë, 2-1 (45’).
Edhe në pjesë të dytë Drita dominoi si me raste ashtu edhe me posedim, por goli i rehatisë nuk erdh assesi dhe me kujdes të shtuar ekipi çoi ndeshjen deri në fund të saj me rezultatin e arritur në pjesë të parë për të siguruar finalen e fazës parakualifikuese të Ligës së Kampionëve.
Aty gjilanasit do të takohen me skuadrën e Linfieldit, më 11 gusht.