Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

DRITA MPOSHTI BALLKANIN!

Drita fiton derbin ndaj Ballkanit, ngushtohet gara për titull!

Foto: DritaFC

Drita fiton derbin ndaj Ballkanit, ngushtohet gara për titull!


21 February, 2024 @15:16

Drita ka fituar derbin e madh të xhiros XXI të Superligës, duke e mposhtur Ballkanin në stadiumin me bar sintetik të Gjilanit, 1-0. Ka qenë mbrojtësi kolumbian i ardhur këtë janar, Juan Camilo Mesa, që ka vendosur ndeshjen!

Ai ka shënuar gol me kokë, pas krosimit nga gjuajtja e lirë që erdhi nga këmba e krahut Besnik Krasniqi. Goli i shënuar në minutën e 62. të ndeshjes nga Mesa u rishikua edhe nga VAR, për ofsajd potencial dhe në fund u vërtetua se ishte i rregullt për t’ia dhënë fitoren e madhe bardhekaltërve të drejtuar nga Zekirija Ramadani.

Ky i fundit u përjashtua nga loja, pas një reagimi të ashpër ndaj referit kryesor të ndeshjes Ilir Mehmeti. Mehmeti i dha së pari karton të verdhë Ramadanit, ndërsa ky vazhdoi me reagimet e tij për të marrë në të njëjtën kohë edhe një, dhe për tu përjashtuar nga ndeshja.

Sa i përket asaj që u pa në fushë, Drita dukej shumë më kërkuese. Kastriot Selmani dhe Blerim Krasniqi kanë pasur raste të mira për ekipin e tyre në pjesë të parë. Krasniqi (38’) qëlloi shtyllën, kur tentoi nga afërsia të shënojë me kokë, pas një krosimi të Albert Dabiqajt, që mori top të gjatë prej Besnik Krasniqit. Ballkani mundësi për të shënuar kishte me Nazmi Gripshin, që me kokë pas kornerit gjuajti mbi portë (32’).

TABELA AKTUALE

Në pjesë të dytë pas disa rasteve Drita gjeti golin. Një faul jashtë zone i shkaktuar nga Lorenc Trashi, bëri që Besnik Krasniqi me një krosim të gjatë brenda në zonë të gjejë mirë të pozicionuar Juan Mesën që shënoi golin e parë për Dritën këtë stinor prej se erdhi aty, duke shënuar për epërsinë e ekipit të tij (62’).

Ilir Daja reagoi duke nisur zëvendësimet. Së pari futi në lojë Arbër Potokun, më pas edhe Lindon Emërllahun e Krenar Dulajn, por goli assesi s’erdhi për kampionët aktual të Superligës.

Fitorja e Dritës tashmë ngushton edhe më distancën e ekipeve në krye të renditjes. Sot Ballkani lider ka 44 pikë nga 21 ndeshje të luajtura. Llapi që luan nesër nga 20 ndeshje ka 40, ndërsa Drita me 21 ndeshje të zhvilluara ka gjithashtu 40 pikë.

Drita do të pret Dukagjinin në xhiron tjetër për të kërkuar vazhdimin e fitoreve, ndërsa Ballkani Gjilanin, për t’iu rikthyer fitores.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga