KONSTATOHET KËPUTJA E LIGAMENTIT!
Betim Halimi duhet të operohet, mbyll stinorin 23/24!
20 February, 2024 @21:05
Portieri i Gjilanit Betim Halimi duhet të operohet. Ky është njoftimi i fundit i Gjilanit, ndërsa ka bërë të ditur se njëshi i portës së tyre ka këputur ligamentin ACL të gjurit të majtë në përballjen e xhiros që e lamë pas ndaj Prishtinës.
“Pas ekzaminimeve mjekësore është konstatuar se futbollisti ka këputur ligamentin ACL të gjurit të majtë dhe në këtë mënyrë është i detyruar t’i nënshtrohet operacionit.
Futbollisti do të futet në operim gjatë ditëve në vijim dhe më pas do të ndjekë rikuperimin fizioterapeutik. Periudha e kthimit në aktivitet do të vlerësohet pas operimit, teksa do të humbasë të gjitha ndeshjet e mbetura të këtij edicioni.” ka bërë të ditur ndër të tjera SC Gjilani.
SC Gjilani që po drejtohet nga Gentjan Mezani është i teti në renditjen tabelare të Superligës me 20 pikë dhe po kërkon ikjen nga zona e barazhit. Ekipi në dy ndeshjet e para të pjesës pranverore të stinorit ka marrë dy pikë.