Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

FITORE KREJT NË FUND!

Dukagjini me penallti të dyfishtë në shtesë, mposhti Lirinë!

Foto: KFDukagjini

Dukagjini me penallti të dyfishtë në shtesë, mposhti Lirinë!


22 February, 2024 @15:54

Në një ndeshje të luftuar dhe pa shumë raste konkrete, Dukagjini ka arritur të mposhtë Lirinë vetëm në saje të penalltisë së përsëritur në minutat shtesë të kohës shtesë të ndeshjes.

Epilogu i ndeshjes ka qenë dramatik, ndërsa dueli mori kahje tjetër në fund. Derisa Liria priste topin gjatë sulmit ndeshja u ndërpre me ftesë nga VAR-i. U akordua penallti për Dukagjinin, ndërsa Stivi Frashëri e mbrojti atë.

Penalltia u përsërit, Frashëri mbrojti përsëri 11 metërshin, por kësaj radhe topin e dëbuar Blerind Morina e futi në rrjetë të prizrenasve që po vuajnë për fitore dhe pas golit ndeshja përfundoi, Dukagjini 2-1 Liria [Iljasa Zulfiji 14’, Blerind Morina 90’+13 - Rigon Spahiu 70’].

TABELA AKTUALE

Sa i përket lojës, kryesisht në mes të fushës dhe pa raste konkrete, derisa të dyja golat e kohës së rregullt erdhën pas ndërprerjeve, ku në të parin Iljasa Zulfiji goditi nga afërsia, pas topit të kthyer mbrapsht nga mbrojtja prizrenase për 0-1 (14’) e Liria shënoi nga një tjetër ndërprerje kur topi i kthyer nga shtylla pas goditjes me kokë, erdhi afër Spahiut që me kokë shënoi për barazim (70’).

Fitorja e shtatë kampionale largon Dukagjinin konsiderueshëm nga pjesa e poshtme e tabelës duke arritur në 30 pikë e pozitë të gjashtë, ndërsa Liria tash e tutje mund të shpresojë vetëm në befasi të mëdha për të mbijetuar stinorin. Prizrenasit e rikthyer këtë stinor në Superligë janë të fundit në renditje (të dhjetit) me vetëm 9 pikë nga 21 ndeshje. Pozita për barazh për ta është larg, sot 12 pikë, ndërsa shpëtimi, sot 14 pikë!


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga