WARRIOS - CAVS @ GAME 1

Foto: nba.com
Durant & Curry shpërthejnë, për epërsi në serinë finale
2 June, 2017 @10:16
Kevin Durant ishte njeriu i ndeshjes së parë të finales së madhe të NBA-së që u luajt në mëngjesin e sotëm.
Ai shënoi 38 pikë, 8 kërcime e 8 asistime në fitoren e Golden State Warriors ndaj Cleveland Cavaliers 113-91.
Durant ka dënuar Clevelandin për çdo moment që ata e kanë lënë të lirë, duke e marrë topin dhe duke ngulitur si njeri i misionit për të cilin ka ardhur te Warriors.
Stephen Curry shënoi 28 pikë prej të cilave 6 treshe, ndërsa shtoi edhe 10 asistime në fitoren që ia dha epërsinë nënkampionëve aktual ndaj kampionëve, 1-0.
Në anën tjetër, Lebron James me 28 pikë e 15 kërcime si dhe Kyrie Irving me 24 pikë të tjera nuk mjaftuan në këtë takim për kalorësit.
“Nuk ka vend për dëshpërim. Mendojmë për ndeshjen e radhës, për gjërat që duhet përmirësuar,” ka thënë pas ndeshjes Irving.
E Durant, që po kërkon unazën e parë në karrierë është treguar modest.
“Nuk duam që të parashikojmë asgjë. Do të dalim në fushë dhe do të luajmë. Mund të jemi shumë më të mirë sesa që kemi qenë sonte,” ka thënë ai.
Lebron James, për të treguar shkurtër prononcimin e tij, tha: Kanë luajtur një lojë fantastike sonte.
Ndeshja e dytë e serisë finale zhvillohet në Oracle Arena në takimin për të cilën, biletat janë shitur krejt që tash.