ÇDONJËRI
E gjithë historia në Francë!
19 October, 2015 @15:21
Në ndeshjen e parë të grupit që do ta zhvillojë Shqipëria në Franca 2016 në kuadër të Kampionatit Europian të futbollit - të parë në histori, pritet të jenë të gjithë futbollistët që së paku njëherë kanë veshur këtë fanellë dhe janë gjallë sot.
Këtë e ka bërë të ditur kreu i FSHF-së, Armando Duka në një prononcim te emisioni Skaner në Ora News mbrëmë.
”Çdo ish futbollist i kombëtares, qoftë nëse i ka rënë edhe njëherë topit do të jetë i pranishëm në stadium, për të parë ndeshjen e parë të Shqipërisë në finalet e Francës,” është cituar të ketë thënë Duka nga mediat shqiptare.
Kombëtarja shqiptare për herë të parë në historinë e saj ka arritur të kualifikohet në një ngjarje madhore të futbollit, pasi që përfundoi e dyta në Grupin I kualifikues për EURO 2016, duke e lënë pas Danimarkën, Serbinë dhe Armeninë në grup.