FLET TRAJNERI
Vështirë
19 October, 2015 @11:03
Prishtinës nuk po i ecën mirë këtë stinor. Për këtë është i vetëdijshëm edhe trajneri Ramiz Krasniqi, por edhe Kryesia e Klubit, ka bërë të ditur vetë tekniku prishtinas në një deklaratë të dhënë për faqen zyrtare të ekipit.
“Të jem i sinqertë, do të gëzohesha të largohem, jo tani, por shumë më herët. Por, në pyetje është mos të thuhet se Ramiz Krasniqi po frikësohet. Nga fillimi kam thënë se ne nuk kemi futbollistë për vendin e parë. Nuk ka konkurrencë, janë nja tre-katër futbollistë, kurse të tjerët janë të veshin fanellën dhe të dalin. Ky është niveli. Normalisht, është pajtuar edhe kryesia, sepse vetë rezultati po tregon dhe deri në fund do të mundohemi të mbahemi në këto javët e mbetura, pastaj me prurjen e katër-pesë futbollistëve do të bëhet më mirë. Thjesht, niveli është i ulët, në Prishtinë gjithmonë kanë luajtur futbollistë cilësor, me emër dhe normalisht kemi pasur rezultat. Kurse, tani jemi munduar të komponohemi me rini, por është jashtëzakonisht vështirë, sepse nuk po ka rezultate,” është cituar të ketë thënë Krasniqi për prishtinafc.com pas ndeshjes me Drenicën dje.
Prishtina ka harruar shijen e fitores në pesë xhirot e fundit të stinorit. Dukja e saj në tabelë të Superligës po befason shumëkë, pasi që të shohësh Prishtinën në vendin e parafundit të tabelës - nuk është një gjë e zakonshme.
Prishtina në 10 xhirot e para të stinorit ka arritur të shënojë fitore vetëm në 2 ndeshje, derisa ka barazuar 4 dhe ka humbur në 4 përballje tjera.