Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

2 KORRIKU 1-1 ULPIANA

Edhe 2 Korriku ndalë Ulpianën

Foto: 2korriku.com

Edhe 2 Korriku ndalë Ulpianën


Teksti: 2korriku.com

9 November, 2022 @20:13

Sot, “verdheblutë” e 2 Korrikut lëshuan dy pikë nga duart e Ulpiana nxorri një pikë nga një gol i befasishëm.

Se 2 Korriku ka pasur një sezon jashtëzakonisht të vështirë, këtë s’mund ta mohoj askush, mirëpo se ka qenë edhe një ndër sezonet më të pafata kjo as që do diskutim, gjë kjo e vulosur me ndeshjen e sotme të zhvilluar kundër Ulpianës në shtëpi.

Raste që nuk shkonin në rrjetë të portës, goditje e shtyllës, gol i pranuar në mënyrë të tmerrshme ishin ato që “verdhebluve” ua konfirmuan mungesën e fatit, që në këtë edicion ka ndodhur në goxha shumë ndeshje. E pos mungesës së fatit, “qershia mbi tortë” e takimit të sotëm për 2 Korrikun, ishte goli i papranuar në minutën e fundit shtesë të ndeshjes, kur topi kaloi vijën e portës, por njësoj nuk menduan gjyqtarët, që lejuan lojën të zhvillohet dhe nuk sinjalizuan për gol, për çka edhe dueli u mbyll me rezultat 1:1.

Raporti i ndeshjes- Sot në stadiumin e 2 Korrikut u zhvillua lojë bukur e fortë, me dy ekipe të pozicionuara krejtësisht ndryshe nga njëra tjetra në renditjen tabelare, dhe me një lojë që ata të pranishëm në stadium, me atë që panë, definitivisht mund të i ketë hutuar se kush ndodhet në pozitën e dytë në renditjen tabelare e kush në të nëntën pozitë të renditjes tabelare.

Takimi u nis pak më mirë nga Ulpiana, që rrezikoi me Dragushën (3’), mirëpo goditja e tij preku paksa shtyllën dhe shkoi jashtë.

Zhvillohej minuta e pesëmbëdhjetë kur në kundërzbritje të shpejtë, Avdiu i vendësve shfrytëzoi hutinë e mysafirëve dhe kaloi me lehtësi mbrojtësin Gërbeshi, pa veten përballë portierit Beqiri dhe goditi për mrekulli, por mrekullisë së tij i doli ballë portieri mysafir që reagoi në mënyrë fantastike dhe shpëtoi ekipin e tij nga pësimi i golit.

Pa kaluar as edhe një minutë nga rasti i Avdiut, doli në pah Aliti, që goditi fuqishëm, por që goditja shkoi mbi portë. Shifrat mbetën të njëjta.

2 Korriku vazhdoi me trysni, trysni kjo e cila shihej se herët a vonë do të shpërblehej.

Ashtu edhe ndodhi. Dominimi i 2 Korrikut u shpërblye. Ishte Bajrami që mori topin dhe bëri “magji” në zonën kundërshtare, doli përballë portierit dhe e dërgoi topin në rrjetë, me ç’rast dërgoi ekipin e tij në epërsinë shumë të merituar.

Dominimi “verdheblu” nuk u ndalë. Madje, 2 Korriku nuk u rrezikua as mbrapa, me një mbrojtje stabile që nuk la shumë hapësira, dhe me mysafirët që si zgjidhje të vetme i shihnin goditjen nga distanca, që thënë të drejtën nuk ishin aspak të rrezikshme.

Ndeshja zhvillohej e në skenë doli edhe një herë anësori Bajrami. Sërish e njëjta situatë. Bajrami mori topin, kaloi tre katër futbollistë, goditi mjeshtërisht, por topi shkoi në shtyllë e u kthye në duart e portierit Beqiri, i cili me sa duket mbeti i shtangur me atë që pa e që u krijua nga këmbët e futbollistit më në formë të vendësve, Flamur Bajramit.

Aksioni i Flamurit doli të jetë i fundit në pjesën e parë, me ndeshjen që mbeti e hapur edhe për në pjesën e dytë.

E dyta pjesë nisi në të mirë të Ulpianës, që realizoi pas vetëm shtatë minutave lojë, gol që ishte krejtësisht aksidental, e që erdhi si pasojë e reagimit jo të mirë të portierit vendës, i cili lirisht mund të thuhet se këtë sezon ka qenë njeriu kryesor i “verdheluve”, por që sot nuk ishte në ditën e tij më të mirë, e që për fat të keq edhe u dënua me një gol të habitshëm që lehtë edhe mund të evitohej.

Goli sikur u dha “zemër” futbollistëve lipjanas, që bënë të mendohej se Ulpiana njëmend do të këndellej, mirëpo një gjë e tillë nuk ndodhi. Në fakt, goli i Ulpianës heshti edhe takimin, me skuadrat që nuk po rrezikonin më dhe që luftën më të madhe e bënin në mesfushë, pa rrezikuar portat e njëra-tjetrës.

Për ta ngjallur paksa ndeshjen u përkujdesën dyshja Bllaca e Bajrami të vendësve, me të parin që hyri deri në zonën mysafire me top falë fuqisë së tij e që pasoi deri te Bajrami që goditi, mposhti portierin, por në fund intervenoi mbrojtësi Rexhepi i mysafirëve, që lirisht mund të thuhet se shpëtoi gol të sigurt.

Fundi i kohës së rregullt të ndeshjes erdhi. Taulant Haxhimustafa ngriti katër gishta për katër minuta shtesë. Topi shkoi në rivënie këndore për 2 Korrikun. Osmani harkoi dhe topi shkoi tek Morina që goditi me kokë, por topi i goditur nga ai u prit nga Beqiri i Ulpianës, që ia ktheu topin edhe një herë Morinës, futbollist ky që arriti ta shtyej topin përtej vijës, por siç duket kjo nuk mjaftoi as për gjyqtarin kryesor Haxhimustafa e as për anësorin Kabashi, që dhanë shenjë për të vazhduar ndeshja e heshtën për rastin më të rëndësishëm të të gjithë takimit.

Tridhjetë sekonda më vonë, Ulpiana doli para e topi shkoi sërish në rivënie këndore, mirëpo Haxhimustafa sinjalizoi për përfundimin e ndeshjes dhe kështu u mbyll edhe stinori vjeshtor në Viva Fresh Ligën e Parë.

Kjo ndeshje nuk ishte e fundit zyrtare për këtë vjeshtë, për shkak që skuadrat e Viva Fresh Ligës së Parë tanimë do të inkuadrohen në Kupën e Kosovës, për të cilën shorti do të hidhet këtë të premte në ambientet e FFK-së me fillim në ora 13:00.

 



i:

Viva Fresh Liga e Parë; Java e Katërmbëdhjetë

2 Korriku – Ulpiana [1:1] (1:0 pas pjesës së parë)

Golashënues: Flamur Bajrami (23’) – Almedin Murati (52’)

Gjyqtarët: Taulant Haxhimustafa, Bajram Kabashi, Lekë Saraqini

Delegat i ndeshjes: Lulzim Fazliu

Vëzhgues i gjyqtarëve: Selami Haziri

Formacioni startues i 2 Korrikut: A. Ajeti (F. Neziri 63’), R. Jashari, A. Salihu, A. Shahini, P. Osmani, A. Oruqi (kap.), A. Bllaca, Sh. Aliti (E. Gashijan 79’), G. Latifi (L. Jetullahu 63’), M. Avdiu (E. Morina 63’), F. Bajrami. Kryetrajner: Besim Ademi.

Formacioni startues i Ulpianës: A. Beqiri, M. Ajeti (L. Rexhepi 46’), R. Gerbeshi, F. Gerbeshi (kap.), L. Gashi, K. Qeli, E. Baftiu (Sh. Kelmendi 46’), A. Arifi (A. Xheladini 82’), A. Murati, D. Dragusha (A. Limani 80’), A. Sadriu. Kryetrajner: Emin Bajrami.

 
Të gjitha lajmet nga FFK Liga e parë