BELGJIKA
Ekip që duhet të fitojë
Shkruan: LUAN MORINA
14 June, 2018 @13:58
Çerekfinalja për belgët në Euro2016 ishte dështim. Çerekfinalja në Rusi do të ishte dështim, ndonëse përballë mund të kenë Brazili ose Gjermaninë, nëse gjithçka shkon sipas pritjeve për belgët.
BRAZILI
Para katër viteve, në grupin H, belgët ishin pak a shumë i njëjti ekip, por me një trajner krejt tjetër dhe i padëshmuar në zejen e tij. Fitore minimale kundër të tre kundërshtarëve, duke shënuar dy herë vetëm kundër Algjerisë, derisa Origi e Vertonghen siguruan pikët kundër Rusisë dhe Koresë Jugore. Për të mposhtur SHBA-të patën nevojë për vazhdime, e një gol i Higuainit do t’i eliminonte në çerekfinale.
Edhe në Euro2016 kishin probleme me Suedinë e Italinë, por shtatë gola shënuan kundër Irlandës dhe Hungarisë. Me këtë ritëm, dhe me pjekurinë që kanë tani pjesa dërrmuese e ekipit, Belgjika duhet të shkëlqej në grupin G, të cilin edhe duhet ta fitoj.
BEFASIA
Eden Hazard është 27 vjeç, De Bruyne 26, Lukaku 25. Katër vite më parë kishin nevojë për përvojë, dhe trajner. Roberto Martinez nuk është ndër më të mirët ndoshta, por është shumë më i mirë se Marc Wilmots, karriera e të cilit si futbollist do të merrte në qafë një Belgjikë për katër vite. Në dy garat e fundit janë konsideruar si ekipet që mund të befasojnë. Jo më. Tani janë ekipi që duhet të fitoj, ekip nga i cili pritet suksesi.
TRAJNERI
Me Martinezin kanë gjetur portën dhe nuk ka lojë që nuk kanë shënuar së paku një gol, e mesatarja është mbi 3 gola për ndeshje dhe 0.8 gola të pranuar për ndeshje. Strategu spanjoll ka aplikuar një formacion me tre qendërmbrojtës duke vendosur në njërin krahë të mbrojtjes një mbrojtës klasik anësor, dhe një krahë sulmi në anën tjetër. Kjo i shërben në ri-formatimin e njëmbëdhjetëshes varësisht prej rezultatit.
Alderweireld e Vertonghen janë të pazëvendësueshëm dhe me vete kanë Kompanyn në qendër. Kjo treshe e mbrojtjes, është njëra ndër më të mirat në botë. Në krahun e djathtë zakonisht Thomas Meunier, një mbrojtës, e në anën tjetër është Yannick Carrasco i cili mbulon tërë vijën e majtë. Me Vertonghenin i cili një pjesë të karrierës ka luajtur si mbrojtës i majtë, Carrasco e ka më të lehtë të lëvizën përpara, me më pak brengë për kundërsulmet eventuale.
E kundërsulmet janë arma kryesore e belgëve, të cilëve u pëlqejnë të lëvizin në drejtim diagonal, falë aftësisë së krahëve të ndërrojnë anët derisa Lukaku stopon lirimin e nevojshëm të mbrojtësve kundërshtar.
Axel Witsel me Kevin De Bruynen përkujdesen për pjesën qëndrore të mesfushës, duke detyruar ndoshta mesfushorin e Cityt të marr një pozitë më defensive se në Premier League. Kohëve të fundit ky formacion po funksionon për Martinezin, kryesisht për faktin se Mertens e Hazard marrin më shumë pozitë qendrore, menjëherë pas Lukakut.
Romelu Lukaku në ditët më të mira mund të bëhet golashënuesi më i mirë i Kupës së Botës. Nëse ‘hëna’ është në anën e kundërt, mund të përfundoj pa asnjë gol të shënuar. Por Michy Batshuayi, jo aq i këndellur nga lëndimi, e Dries Mertens, këtë sezon më dobët, janë golashënues klasik, të gatshëm për të zëvendësuar ndonjë agjërim të Lukakut.
Thorgan Hazard, Nacer Chadli, e Adnani janë në rezervë për sulmin, derisa Dembele, Fellaini, e Tielemans mund të zëvendësojnë De Bruynen nëse Martinez e zhvendos më para. Ju kujtohet koha kur Simon Mignolet ishte rebeluar kundër Thibaut Courtois për të marrë pozitën e startuesit për Belgjikën? Sot, kjo gjë as nuk kontestohet!
SCIFO
Në Kupën e Botës në Meksikë, në vitin 1986, Belgjika do të arrinte suksesin më të madh. Në gjysmëfinale do të mënjanoheshin nga Maradona, e në luftë për pozitën e tretë, golat e tretë në turne të Ceulemans e Claesen s’do të mjaftonin për t’u stolisur me medalje. Në çerekfinale binte Spanja, në penallti, Bashkimi Sovjetik eliminohej në rrethin e parë përkundër het-trikut të Igor Belanovit.
Belgjika në grupe do të mposhte vetëm Irakun me rezultat 2-1, me të cilin kishin humbur në rrethin e parë nga Meksika, e këtë fazë e mbyllin me barazim 2-2 me Paraguain.
Enzo Scifo, ndonëse njëzet vjeç, do të paraqitej në secilën ndeshje të Belgjikës, duke shënuar dy gola në rrugën drejt gjysmëfinales. Një dhjetësh klasik, në Meksikë do të habiste me stilin e tij të lojës kreative, dhe aftësitë për të organizuar ekipin, duke lëvizur në çdo pozitë të nevojshme në mesfushë, edhe në atë mesfushorit defensiv.
Pas Meksikës, Scifo do të vazhdonte me Belgjikën në Itali e SHBA duke kaluar grupet, para se të përfundonin në grupe në Francë, me tri barazime – pa gola me Holandën, 2-2 me Meksikën, dhe 1-1 me Korenë Jugore.
RUSIA 2018
Me Panamanë si debutuese në grup, me të cilët hapin turneun me datë 18 qershor në ora 17, Belgjika do të shfaq në pah formën dhe seriozitetin që kanë për të përsëritur Meksikën. Me Tunizinë luajnë me datë 23 qershor, në ora 14, para se të mbyllin fazën e grupeve me Anglinë, me datë 28 qershor në ora 20.