SAMIR UJKANI

Është e rëndësishme të fillojmë mirë
20 March, 2023 @22:33
Portieri i Kosovës, Samir Ujkani, në deklaratën e tij dhënë pas stërvitjes së parë për kualifikimet drejt EURO 2024 dhe ndeshjeve ndaj Izraelit dhe Andorrës, ka theksuar se është shumë me rëndësi që t’ia nisim mirë kampanjës.
“Kemi filluar të përgatitemi për dy ndeshjet e para. Është shumë e rëndësishme të fillojmë mirë, sepse qëllimi ynë është të besojmë te kualifikimi edhe pse e dimë se është shumë e vështirë, pasi grupi është shumë i rrezikshëm. Kemi shumë respekt për kundërshtarët, por çdo lojë për neve është finale dhe sigurisht se në ndeshjet në shtëpi me tifozët tanë do të jemi edhe më të fortë. Besoj se mund të arrijmë qëllimin tonë për t’u kualifikuar. Sikur Izraeli edhe Rumania, por edhe të gjitha ekipet tjera janë kandidatë për t’u kualifikuar dhe për këtë arsye them se është grup shumë i rrezikshëm. Në çdo ndeshje duhet të japim maksimumin dhe grupi duhet të jetë në 100 përqindshin e tij në mënyrë që të kemi gjasa për kualifikim. Me forcat tona, bashkë me tifozët tanë të cilët do të na shtyjnë përpara mendoj se ka ardhur koha që duhet të besojmë në kualifikim”. — ka thënë Ujkani.
Ndeshjen e parë në kuadër të kësaj fushate kualifikuese Dardanët e zhvillojnë më 25 mars në Tel-Aviv, derisa ndeshjen e dytë më 28 mars, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.