BERLIN

Felix Magath me detyë për të shpëtuar ekipin nga rënia
14 March, 2022 @10:31
Njeriu që u përfol si kandidat për të qenë përzgjedhës i Kosovës në futboll, Felix Magath, është zyrtarizuar mbrëmë si trajner i ri i Hertha Berlinit në Bundesligë.
Strategu 69-vjeçar që në karrierë të tij ka drejtuar edhe Bayernin dhe njihet si rigoroz në punë, ka pranuar ofertën e bërë nga klubi i kryeqytetit gjerman, ndërsa ka nënshkruar deri në fund të stinorit - për të mbajtur ekipin në Bundesligë.
Hertha Berlin rrezikon rënien, ndërkaq shtatë xhiro para fundit të stinorit është e parafundit në renditje me 3 pikë dallim prej pozitës që siguron mbijetesën.
“Kam pasur bisedë të qartë dhe të hapur me Fredi Bobic. Të gjithë e dimë situatën ku gjindet ekipi në aspektin sportiv dhe jam i lumtur që do të jem aty për t’i ndihmuar ekipit për të arritur objektivin, për të qëndruar në elitë. Me rëndësi është që të gjithë të fokusohemi në tetë ndeshjet e ardhshme,” ka thënë Magath.
Magath do të zëvendësojë në rolin e kryetrajnerit të skuadrës trajnerin e deridjeshëm të skuadrës, Tayfun Korkut.