STAMBOLL

Foto: Euroleague.net
Fenerbahçe mposht kampionin
14 April, 2015 @22:12
Fenerbahçe ka arritur të shfrytëzojë përparësinë e terrenit vendas në ndeshjen e parë të Play-Offit të Euroleague duke e mposhtur kampionin aktual të Europës, Maccabi Tel Aviv, 80-72.
Maccabi u tregua më i mirë në pjesë të parë të ndeshjes, mirëpo ekipi turk ka arritur të mbajë lojën në nivel për të barazuar e në fund edhe për të kaluar në epërsi, për të fituar lojën në çerekun e fundit.
Çeku 25 vjeç, Jan Vesely, është treguar i pakapshëm për ekipin izraelit sonte. Ai shënoi 23 pikë për të marrë epitetin e lojtarit të ndeshjes në fitoren e madhe të ekipit turk.
Vesely ndihmoi edhe me 7 kërcime ekipin e tij, derisa pikë dyshifrore shënuan edhe Nemanja Bjelica 13 pikë + 12 kërcime si dhe Luka Zoric 10 pikë + 4 kërcime.
Kenan Sipahi luajti 7 minuta në fitoren e Fenerit dhe kontribuoi me 5 pikë dhe 1 kërcim në këtë fitore të kanarinave të Stambollit.
Te izraelitët më i dalluari ishte si zakonisht Jeremy Pargo, që shënoi 25 pikë e regjistroi 8 asistime, por jo mjaftueshëm për fitore.
Kjo ka qenë përballja e parë e këtyre skuadrave në Play-Offin e sivjetëm të Euroleague dhe ekipi që arrin së pari 3 fitore kualifikohet për Final Four 2015 që mbahet në Madrid.