FERIZAJ
Ferizaji hyn në bojkot, s’do të zhvillojë ndeshjet
16 March, 2021 @18:51
Gjendja e rëndë financiare e ka futur në krizë të thellë skuadrën e Ferizajt, e cila po rrezikon edhe shuarjen.
Ekipi që garon në Ligën e Parë, ka vendosur që të futet në bojkot, duke refuzuar zhvillimin e stërvitjeve dhe ndeshjeve kampionale.
Kjo gjë është bërë e ditur nga vet faqja e klubit, ku gjithashtu bëhet thirrje edhe për përkrahësit e tjerë që t’i bashkohen këtij bojkoti dhe të solidarizohen me klubin.
Më poshtë gjeni njoftimin e plotë të klubit të Ferizajt.
“Klubi ynë nga nesër ka vendosur të futet në bojkot, si shkak i gjendjes së rëndë financiare. Edhe përkundër që futbollistët kanë luajtur pa marrë asnjë pagë që disa muaj, dhe pa përkrahje nga askush prap ata po janë objekt i fyerjeve dhe ofendimeve nga të gjithë.
Futbollistët kanë vendosur të hyjnë në bojkot, duke mos zhvilluar as stërvitjet por edhe as ndeshjet në Ligën e Parë.
Ju bëjmë apel, tifogrupit Ujqit, dashamirëve të futbollit që nesër në ora 14;00 të jenë në stadion të solidarizohen me ne.
Të gjithë së bashku ta shpëtojmë klubin e zemrës nga më e keqja, nga shuarja e klubit.”