UJQIT NUK FALIN NË SHTËPI

Ferizaji i kthehet fitores, Edon Sadriu vendimtar
8 March, 2023 @15:22
Dy gola të Edon Sadriut sot, i kanë sjellë fitore me përmbysje ekipit të Ferizajit, që përsëri së paku sot, ka dalë nga fundi i renditjes tabelare të Superligës, pasi që ekipi i Andrej Panadicit ka përmbysur Llapin për të fituar duelin: Ferizaji 2-1 Llapi [Edon Sadriu 45+1, 58 - Gerhard Progni 11].
Llapi e nisi shumë mirë ndeshjen dhe gjeti hapësirë për gol. Ka qenë krahu Arbër Bytyqi që i dhuroi një top mesfushorit me përvojë Gerhard Progni, i cili i dha epërsinë ekipit të Tahir Batatinës.
Mirëpo, golat për Llapin herët përfunduan. Pas kësaj një angazhim dhe dëshirë e madhe nga vendasit për t’iu rikthyer fitores u pa edhe në lojë, ndërsa ka qenë Edon Sadriu që barazoi pak para fundit të pjesës së parë, e i njëjti edhe në minutën e 58 të ndeshjes vendosi duelin, kur pas asistimit të Betim Haxhimusës shënoi për fitore dhe gëzimin e madh të vendasve, që po luftojnë për mbijetesë.
Fitorja, bën që Ferizaji të kapë 11 pikë nga gjashtë ndeshjet e para të pranverës, ndërsa duhet cekur se kjo është fitorja e tretë me radhë në shtëpi për bardhekaltërit prej se ka nisur pjesa e dytë e stinorit - pra të gjitha fitore në shtëpi!
Ferizaji ka 24 pikë nga 24 ndeshje dhe mbyll xhiron në pozitë të parafundit, ndërsa Llapi ka 29 pikë dhe është i gjashti.