Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

NË SHTËPI, PËRSËRI FITORE

Ferizaji përmbys Dritën, del nga fundi i tabelës

Nga festa e golit të sotëm të Ferizajit/ Foto: FCFerizaji/ fb

Ferizaji përmbys Dritën, del nga fundi i tabelës


25 February, 2023 @16:38

Çfarë Ferizaji, çfarë rikthimi për të dalë nga fundi i renditjes tabelare që prej fillimit të stinorit. Ekipi i Andrej Panadicit ka marrë edhe fitoren e dytë në tri ndeshjet e fundit në kampionat që prej se nisi pjesa pranverore e stinorit dhe tashmë ka dalë nga fundi i renditjes tabelare!

Viktima e Ferizajit sot ka qenë Drita, që po garon për titull kampioni. Humbja e Dritës, ka bërë që gjilanasit të jenë tashmë një hap pas liderit dhe kampionit aktual Ballkanit.

I kthehemi ndeshjes, derisa pjesa e parë kaloi pa shumë raste dhe më shumë dukej sikur mateshin forcat e njëri-tjetrit përgjatë fushës, në pjesë të dytë filluan të tunden rrjetat, por me rrjedhë ekstreme, ashtu që në fund të gëzoheshin jashtëzakonisht, vendasit.

TABELA AKTUALE

Me të ardhur epërsia e Dritës përmes Kastriot Selmanit (54’), Ferizaji barazoi thuajse menjëherë përmes Ergon Hysenit për 1-1 (57’). Loja nisi të bëhet edhe më interesante, ndërsa Drita ishte një fije pranë golit të epërsisë përsëri.

Ka qenë Almir Ajzeraj së pari që godet shtyllën, ndërsa pas tij kapiteni Ardian Limani ka gjuajtur mbi portë, duke qenë vetë para portës së vendasve. Të gjitha këto, brenda një aksioni në minutën e 64.

Në anën tjetër një zëvendësim thuajse i padukshëm në ndeshje, kur Betim Haxhimusa hyn në vend të Edon Sadriut nga trajneri Panadic, ka dalë të jetë vendimtar për Ujqit e Ferizajit. Pikërisht Haxhimusa i shënoi ish-ekipit të tij për t’ia sjellë fitoren e madhe Ferizajit, të dytën me radhë në shtëpi, derisa ekipi doli nga fundi i tabelës.

Deri në fund, Bujar Shabani mori karton të kuq për Ferizajin. Ndërsa pas fishkëllimës së fundit erdhi edhe gëzimi i madh te vendasit, kur kuptuan se me pikën e tetë të fituar në katër ndeshjet pranverore, tashmë me një pikë më tepër, ia lëshojnë pozitën e fundit Drenicës që u mposht sot.

Derisa Ferizaji pas 22 ndeshjesh ka 21 pikë, 8 prej të cilave në katër xhirot e fundit pranverore, Drita bën hap prapa në luftë për titull, duke pësuar për herë të dytë në katër ndeshjet e pjesës pranverore të stinorit, me tash 44 pikë, derisa lideri Ballkani ka 47 sosh.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga