Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

PËRKUJTIMI

FFK bën homazhe te varri i Fadil Vokrrit

Foto: FFK

FFK bën homazhe te varri i Fadil Vokrrit


Teksti: FFK

9 June, 2020 @11:37

Presidenti Agim Ademi së bashku me anëtarët e Komitetit Ekzekutiv, sekretarin e përgjithshëm Eroll Salihu, administratën e FFK-së, ish-futbollistë e miq si dhe me drejtuesit e grupit të tifozëve “Dardanët”, kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur buqeta lulesh tek varri i ish-presidentit Fadil Vokrri, në dyvjetorin e ndarjes nga jeta të Legjendës.

Homazhe kanë bërë edhe ministrja për Kulturë, Rini e Sport, Vlora Dumoshi dhe ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, por edhe dashamirë të shumtë të ish-presidentit Vokrri.

Me këtë rast presidenti Ademi vuri në pah se Vokrri ishte një njeri me vlera të larta dhe me kontribut të jashtëzakonshëm për futbollin e Kosovës dhe se do të jetë frymëzim për gjenerata të tëra.

Ndërkaq, sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu ka thënë se ikja e hershme e presidentit Vokrri ka qenë një goditje e madhe për të dhe të gjithë ata që janë pjesë e futbollit.

“Me Fadilin nuk na ka lidhur vetëm puna, por kemi qenë edhe shokë shumë të afërt. Vokrri ka qenë dhe mbetet Legjendë e futbollit, por jo vetëm aq. Të jesh futbollist i mirë nuk do të thotë të jesh edhe lider i mirë, por Fadili ka qenë njeri me zemër të bardhë dhe me mendje të shëndoshë. Ai ka qenë një diplomat, një njeri në vendin e duhur. I kam kaluar 11 vite intensive afër tij dhe vërtet gjatë kësaj periudhe e kam parë sa i aftë ka qenë të përfitojë miq në botë dhe sot e kësaj dite e gëzojmë atë punë që ai e ka bërë. Për sa të ekzistojë futbolli dhe jeta, Fadil Vokrri do të jetë figura më e rëndësishme”, ka thënë Salihu.

Ish-presidenti Fadil Vokrri ndërroi jetë më 9 qershor të vitit 2018 pas një infarkti në zemër.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga