NJOFTIMI I FFK-së

Fotot: BelarusPL/ tw
FFK e cilëson humbje të rëndë disfatën ndaj bjellorusëve
20 June, 2023 @1:05
Kosova në një ndeshje që priste këndellje në kuadër të kualifikimeve për EURO 2024 ndaj Bjellorusisë, u mposht 2-1, ku këta të fundit arritën fitoren e parë në 15 ndeshje zyrtare kualifikuese.
Të gjitha golat erdhën pas minutës së 70 të ndeshjes, ndërsa Bjellorusia shënoi shpejt dy herë për të siguruar fitoren. Në njoftimin e lëshuar nga FFK në faqen zyrtare të saj për duelin në fjalë, kjo humbje është cilësuar si e rëndë.
“Kombëtarja e Kosovës ka pësuar humbje të rëndë në ndeshjen e katërt në kuadër të Grupit I për kualifikimet Euro 2024, kundër Bjellorusisë, në Budapest, me rezultat 2:1. Kjo humbje erdhi pas tri barazimeve të cilat Dardanët i realizuan kundër Izraelit, Andorrës dhe Rumanisë. Bjellorusët i zhbllokuan shifrat në minutën e 73-të, kur një gabim të Hekuran Kryeziut e shfrytëzoi Vladislav Morozov, i cili realizoi në portën e Aro Muriqit. Vetëm dy minuta më vonë Kosova pësoi edhe golin e dytë, kur Max Ebong realizoi për 2:0, duke shfrytëzuar vendosjen jo të mirë të mbrojtjes. Në minutat e mbetura Dardanët u hodhën në sulm në përpjekje për të ndryshuar epilogun e kësaj ndeshje, por përveç golit të Vedat Muriqit, në minutën e 87-të nga penalltia nuk arritën të bëjnë më shumë. Kësisoj, Kosova pësoi humbje në ndeshjen të cilën shpresonte ta fitonte për të vazhduar ndjekjen e objektivit për kualifikim në Euro 2024. Ndeshjet e ardhshme Dardanët i zhvillojnë në shtator kundër Zvicrës dhe Rumanisë.” - ka shkruar njoftimi i FFK-së për ndeshjen në fjalë.
TABELA AKTUALE dhe ORARI I NDESHJEVE drejt EURO2024
Pas ndeshjes, pos selektorit Alain Giresse që doli vonë për të folur dhe ka thënë se duhet analizuar mirë atë çka ndodhi, ka qenë vetëm edhe kapiteni Amir Rrahmani që ka dalë para mikrofonit për të folë për duelin në fjalë. Të tjerët, janë larguar dhe nuk janë dukur fare para kamerave.
Kosova me humbje nga Bjellorusia thuajse ka humbur të gjitha gjasat për kualifikim në EURO 2024, duke pasur parasysh pritjet e mëdha të thëna që prej kreut të FFK-së në fillim të këtyre kualifikimeve që u dhanë pas shortit të UEFA-së që vendosi Kosovën në Grupin I kualifikues me kundërshtarë si Zvicra, Rumania, Izraeli, Bjellorusia dhe Andorra.◼️