START JO I MIRË NË EUROPA LEAGUE
Fillimi dhe fundi i ndeshjes, fatal për Llapin
11 July, 2024 @23:49
Një gol që në fillim të ndeshjes dhe një krejt në fund, bënë dallimin në rezultat, ndërsa Llapi pësoi 2-0 [Sapala 2’, Rodado 90’+5] nga Wisla në Poloni sonte, për të ulur gjasat për kalim tutje në rrethin e dytë kualifikues për Ligës të Evropës.
Sapala i dha nismë të mbarë vendasve kur goditi fortë që në minutën e dytë të lojës për epërsi. Llapi më vonë u këndell, mbajti topin dhe tentonte të krijonte, por gjatë gjithë ndeshjes ekipi i Tahir Batatinës nuk pati ndonjë rast krejt konkret për të shënuar, pos disa gjysmërasteve.
E në fund, erdhi edhe një goditje nga Wisla që garon në ligën e dytë të Polonisë për të fituar duelin 2-0 dhe për të krijuar avantazh të bollshëm për lojë të qetë pas një jave në Podujevë. Spanjolli Rodado u gjet më së miri në zonë, për të goditur në këndin e majtë të poshtëm të Avdylit.
Përballja e kthimit, ku Llapi do të duhet të shënojë patjetër për të shkrirë avantazhin dygolësh të polakëve luhet në 16:30 në “Zahir Pajaziti” më 18 korrik.