Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

BALLKANI - KLAKSVIK

Fiton minimalisht, Ballkani udhëton në Ishujt Faroe me epërsi

Fiton minimalisht, Ballkani udhëton në Ishujt Faroe me epërsi


4 August, 2022 @21:53

Një paraqitje mjaft e mirë dhe një fitore e merituar për Ballkanin në UEFA Conference League sonte, fitore e cila e afron këtë skuadër me rrethin e fundit para fazës grupore të garës.

Suharekasit e drejtuar nga Ilir Daja, që mbetet trajneri i vetëm që e ka dërguar një skuadër shqiptare në grupet e garave evropiane - Skënderbeun në grupet e Europa League në sezonin 2015/2016, fituan 3-2 në takimin e parë ndaj skuadrës Klaksvik nga Ishujt Faroe. Pas pjesës së parë, u mendua që Ballkani këtë takim do ta mbyllte me fitore të thellë, por mysafirët nuk u dorëzuan dhe e mbyllën ndeshjen me humbje minimale, për të mbetur ende në lojë për kualifikim.

Pjesa e parë e ndeshjes kaloi me Ballkanin dominues, me mysafirët që qëndronin prapa dhe synonin të rrezikonin vetëm përmes ndërprerjeve.

Që në minutën e 4’, Ballkani rrezikoi seriozisisht, kur Meriton Korenica e goditi shtyllën. Në minutën e 21’, Ermal Krasniqi shpërdoroi rast të qindpërqindtë duke qenë i vetëm me portierin mysafir, e 9 minuta më vonë erdhi goli i parë i Ballkanit.

Me një goditje të mrekullueshme me kokë, Nazmi Gripshi ia dha epërsinë Ballkanit në minutën e 30’. 11 minuta më vonë (41’), Meriton Korenica me të majtën shënoi një gol fantastik, e kështu skuadrat shkuan në pushim pranë rezultatit 2-0.

Ballkani e nisi fuqishëm edhe pjesën e dytë. Me një goditje fenomenale nga distanca, Albion Rrahmani (50’) shënoi për 3-0 të Ballkanit.

Për shkak që në Ishujt Faroe është mesi i kampionatit dhe skuadra e Klaksvik është më e përgatitur fizikisht për momentin, në 20 minutat e fundit ra në sy dukshëm dallimi në gjendjen fizike mes skuadrave dhe kjo bëri që topi të përfundonte dy herë në portën e suharekasve.

Në minutën e 69’, mysafirët nga Ishujt Faroe e gjetën golin e parë. Ishte futbollisti Klettskard ai që shënoi për 3-1 e më vonë për 3-2 shënoi i njëjti lojtar (89’), për ta zbritur Ballkanin “me këmbë në tokë” pas pjesës së parë fenomanale që e pati.

Kështu, takimi u mbyll me rezultatin përfundimtar 3-2.

Krejt në fund të ndeshjes, mysafirët nga Ishujt Faroe mbeten me një lojtar më pak në fushë pas përjashtimit të Faeros, i cili do t’i mungojë atyre në ndeshjen kthyese.

Ndeshja kthyese mes skuadrave luhet javën tjetër në Ishujt Faroe, kurse nëse Ballkani e kalon këtë rreth, në rrethin tjetër, të fundit para fazës grupore, luan ndaj humbësit të duelit Shamrock Rovers - Shkupi, duel ky i vlefshëm për kualifikimin drejt grupeve të Europa Ligës.

Kualifikimi i mundshëm i Ballkanit në rrethin e fundit nënkupton që një skuadër shqiptare patjetër do të jetë pjesë e grupeve të garave evropiane këtë sezon.

Nëse Shkupi e eliminon Shamrockun, siguron minimalisht grupet e UEFA Conference League (por ka edhe gjasa për t’i arritur ato të Europa League). Nëse Shkupi eliminohet nga Shamrocku, përballet me Ballkanin (nëse Ballkani nuk e lëshon epërsinë e krijuar sonte në ndeshjen e dytë) në rrethin e fundit drejt grupeve të Conference League. Rrjedhimisht, njëri prej Shkupit ose Ballkanit do të jetë të paktën në grupet e Conference League këtë sezon.


 
Të gjitha lajmet nga Conference League