TREPÇA '89 - KEK-u
Fitore e thellë, por mbetet në barazh
19 May, 2019 @18:22
Në takimin e luajtur sot në “Riza Lushta” të Mitrovicës, skuadra e Trepçës ‘89 ka shënuar fitore të lehtë me rezultat 4-0 ndaj KEK-ut, skuadrës së fundit të këtij sezoni të Superligës.
Hasan Hyseni (7’), Lassine Traore (22’) dhe Franck Herman (30’) shënuan për Trepçën ‘89 në pjesën e parë, për ta mbyllur ndeshjen pas vetëm 30 minutave lojë, ndërsa në pjesën e dytë për 4-0 shënoi Hasan Hyseni (53’), rezultat me të cilin u mbyll ky takim.
Gjithsesi, fitorja e sotme e Trepçës ‘89 nuk e largon këtë skuadër nga zona e barazhit, pasi që fitore në ndeshjet e tyre shënuan edhe kundërshtarët e mitrovicasve, prandaj mbetjen në elitë mitrovicasit do ta kërkojnë përmes barazhit.
Në barazh Trepça ‘89 do të përballet me Vëllaznimin, vendin e katërt të Ligës së Parë, kurse KEK-u në anën tjetër tash e sa kohë dihet që sezonin tjetër do të garojë në Ligën e Parë.
FORMACIONET STARTUESE
TREPÇA '89: Beqiri, Pira, Basriu, Kaqiku, Mersini, Jashari, Maloku, Hyseni, Hoti, Herman, Traore. KEK-u: Hodaj, Musliu, Vitija, Govori, Kutllovci, Preniqi, Berisha, Hajdini, Stullaqku, Dushi, Eminhaziri. |