GJEORGJIA - KOSOVA
Fitore historike, Kosova merr pikët e plota në Gjeorgji
2 September, 2021 @19:55
Vjen fitorja e parë dhe historike e Kosovës në ndeshjet kualifikuese drejt Kampionateve Botërore!
Në ndeshjen e zhvilluar sonte në Batumi të Gjeorgjisë, Kosova arriti të triumfojë 0-1 ndaj Gjeorgjisë vendase në takimin që është i vlefshëm për kualifikimet drejt Botërorit të Katarit.
Në ndeshjet e kualifikimeve drejt Botërorit të Rusisë, Kosova nuk e kishte shënuar asnjë fitore, me ç‘rast fitorja e sontme është e para e Kosovës në këtë lloj të kualifikimeve.
Gjatë pjesës së parë Kosova sonte zhvilloi një paraqitje mjaft të mirë dhe me plot meritë e gjeti golin e avantazhit.
Pas një krosimi të Valon Berishës në minutën e 18’, topi u sulmua nga Vedat Muriqi, por ai që e preki i fundit topin para se të përfundonte në rrjetë ishte Khocholava i gjeorgjianëve. Kështu, me këtë autogol Kosova e mbylli pjesën e parë në epërsi.
Më pas, Kosova e menaxhoi mjaft mirë edhe pjesën e dytë dhe e mbylli ndeshjen me fitore minimale 0-1.
Gjatë pjesës së dytë, ndonëse Gjeorgjia kishte posedim më të madh, ishte Kosova ajo që i kishte rastet më të mira. Rast tejet të mirë shpërdoroi Lirim Kastrati rreth minutës së 55’, e më vonë një rast për t’u përmendur u paraqit edhe për Zymer Bytyqin e inkuadruar nga banka rezervë.
Sa i përket paraqitjeve individuale për t’u veçuar, sonte paraqitje të shkëlqyeshme treguan Ibrahim Dreshevic e Elbasan Rashani, ndërkohë që edhe Florian Loshaj për aq sa luajti ishte i shkëlqyeshme.
Krejt në fund të ndeshjes, në lojë u inkuadrua Mirlind Kryeziu, për të cilin kjo ishte ndeshja debutuese me fanellën e Kosovës.
Pas tri ndeshjeve të para në grup, Kosova tashmë ka 3 pikë, e ndeshjen e ardhshme e luan ndaj Greqisë më 5 shtator në Prishtinë.