BARAZH: GJILANI - BESA
Razak vendos, Gjilani mbetet në Superligë
30 May, 2019 @17:50
Me fitoren e Gjilanit është mbyllur dueli i barazhit mes Gjilanit dhe Besës, epilog ky që e mban Gjilanin edhe më tej në Superligë, kurse pejanët e Besës detyrohen që të paktën edhe një sezon ta luajnë në Ligën e Parë të Kosovës.
Sikur pothuajse të gjitha ndeshjet e barazhit viteve të fundit, edhe ndeshja e sotme mes Gjilanit dhe Besës ishte mjaft e ngushtë, me skuadrat që zhvillonin lojë me shumë kalkulime, pa rrezikuar shumë.
Ndeshja u vendos nga një gol i Keita Razak, lojtar ky që në minutën e 24’ të takimit shënoi një gol mjaft të bukur duke e parabolluar portierin kundërshtar. Më pas, pjesën e mbetur të ndeshjes skuadra nga Anamorava e menaxhoi mjaft mirë, duke bërë kështu që goli i shënuar në pjesën e parë të jetë i mjaftueshëm që Gjilani ta fitojë takimin e sotëm dhe rrjedhimisht të mbetet në elitën e futbollit kosovar të paktën edhe për një sezon.
Kujtojmë që Besa mundësinë për t’u ngjitur direkt në elitë e kishte në dorën e saj, mirëpo pejanët gabuan në ndeshjen e fundit ndaj Kikës në Hogosht, me ç‘rast në elitë direkt u ngjit Dukagjini nga Klina, skuadër kjo që iu bashkua Vushtrrisë, lideres së pakontestueshme të Ligës së Parë në sezonin që e lamë pas.
Takimi tjetër i barazhit luhet të shtunën (1 qershor) me fillim nga ora 16:00 ndërmjet Trepçës ‘89 dhe Vëllaznimit, gjithashtu në “Fadil Vokrri”.
FORMACIONET STARTUESE
GJILANI: Haxhihamza, Kastrati, Lila, Kqiku, Kosumi, Aziz, Lopez, Shabani, Nika, Hajdari, Razak. BESA: Haxhijaj, Gjeraj, Tusuni, Haxhaj, Thaqi, Jashari, Bushati, Sheqerolli, Balaj, F. Gashi, E. Gashi. |