SEMIFINALS: TOTTENHAM - AJAX
Fitore në Londër, Ajaxi i afrohet finales
30 April, 2019 @23:05
Vazhdon super forma e Ajaxit në ndeshjet jashtë shtëpisë në Evropë!
Pas Real Madridit e Juventusit, sonte Ajaxi e ka mposhtur në terrenin mysafir me rezultat 0-1 Tottenhamin, për t’u afruar kështu me finalen e Ligës së Kampionëve, të cilën nëse e arrin do të jetë e para për holandezët që nga viti 1996.
Ndeshja filloi në mënyrë të shkëlqyeshme për Ajaxin, skuadër kjo që përkundër moshës mesatare tejet të re, në fushë edhe sonte dukej mjaft e pjekur. Me presion të vazhdueshëm dhe me qetësi të jashtëzakonshme, holandezët epërsinë e morën në minutën e 15’, kurDonny van de Beek shënoi për 0-1.
Edhe pas golit, skuadra e Ajaxit vazhdoi të ishte më e mirë deri pak para fundit të pjesës së parë, kur Tottenhami rrezikoi dy herë, fillimisht përmes goditjes me kokë të Alderweireld e më pas me një goditje nga distanca të Sissokos. Ky i fundit nuk ishte startues në këtë duel, por u inkuadrua në lojë pas largimit nga loja të Verthongen, i cili pësoi një lëndim në hundë pas një përplasjeje kokë me kokë me njërin nga bashkëlojtarët e tij, belgun Alderweireld.
Përveç largimit të Verthongen nga loja për shkak të lëndimit, Tottenham vuajti edhe dy mungesa tejet të rëndësishme që nga fillimi - sulmuesit Harry Kane dhe Heung-Min Son, të cilët mbeten jashtë për shkak të lëndimimit, respektivisht suspendimit.
Në pjesën e dytë, edhe pse Tottenhami dukej më stabil me inkuadrimin e Sissokos, mysafirët nga Amsterdami e menaxhuan për mrekulli ndeshjen, madje edhe e goditën një herë shtyllën, por ç’është më e rëndësishmja, arritën ta mbyllin ndeshje pa pësuar gol, për të shkuar kështu në ndeshjen kthyese të javës së ardhshme me epërsi.
Sa për kuriozitet, katër startues të Tottenhamit sonte te londinezët kanë ardhur pikërisht nga Ajaxi. Verthongen, Alderweireld, Sanchez dhe Eriksen janë katërshja e ardhur në Londër nga Amsterdami, një tjetër fakt që dëshmon ‘pashtjerrësinë’ e Ajaxit kur bëhet fjalë për prodhim lojtarësh.