NË NIVEL MË TË LARTË!
Florent Muslija zyrarisht lojtar i Freiburgut
25 January, 2024 @0:32
Mesfushori i Kosovës, Florent Muslija edhe zyrtarisht është bërë lojtar i ri i Freiburgut. Ai kaloi në ekip të Bundesligës nga ekipi i tij i deritashëm Paderborn, që garon në Bundesliga 2. Kjo, pas paraqitjeve shumë të mira të kosovarit aty.
Për Florentin, drejtori sportiv i Freiburgut Jochen Saier ka thënë se është mesfushor që mund të luan në disa pozita. Pos anësoreve ai mund të luajë edhe në qendër, ndërsa vazhdimësia e ndeshjeve të mira të treguara në Bundesliga 2 për 25 vjeçarin do të thotë që ai është i gatshëm për një hap më lart në karrierën e tij.
Ndërkaq vetë Florenti në deklaratën e parë të tij si lojtar i Freiburgut duke folë për faqen zyrtare të klubit scfreiburg.com ka thënë se mezi pret zhvillimin e mëtutjeshëm të tij si lojtar.
“Kam përjetuar më parë atmosferën këtu në stadiumin Europa-Park në ndeshje të Kupës. Tash po shikoj përpara për tu njoftuar më mirë me bashkëlojtarët e ri, për tu zhvilluar edhe më shumë si lojtar dhe për të dhënë gjithçka për të mirën e klubit,” ka thënë futbollisti i Kosovës.
Përndryshe, Florentit i është dhënë numri 23 te Freiburgu për këtë stinor. Ndërsa detaje tjera të kontratës nuk janë dhënë. Sa i përket statistikave me Paderbornin, Muslija ka luajtur 70 ndeshje zyrtare me tashmë ish-ekipin e tij, duke shënuar 25 gola dhe 14 asistime. Këtë stinor, në Bundesliga 2 ai shënoi 7 gola. Florenti ka 23 paraqitje për kombëtaren e Kosovës.
— SC Freiburg (@scfreiburg) January 24, 2024